Erdogan: Të rishikojmë Lozanën. Pavlopulos: Lozana nuk preket - Bota Sot
Erdogan: Të rishikojmë Lozanën. Pavlopulos: Lozana nuk preket

Evropë

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Erdogan: Të rishikojmë Lozanën. Pavlopulos: Lozana nuk preket

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:18
Takimi mes Prokopis Pavlopulos dhe Recep Taip Erdogan

(E plotësuar) - Në konferencën e përbashkët për shtyp mes Prokopis Pavlopulos dhe Recep Taip Erdogan u shpërfaqën përplasjet e hershme mes Turqisë dhe Greqisë.

Në fjalën e tij, Presidenti turk e cilësoi si të vjetëruar Traktatin e Lozanës dhe ofroi ose përditësimin e tij dhe përshtatjen me kohën, ose nënshkrimin e një marrëveshjeje të re mes Athinës dhe Ankarasë.

Erdogan la të kuptohej se Greqia nuk e ka respektuar plotësisht këtë traktat, duke sjellë si shembull minoritetin mysliman në Trakë. Greqia e njeh si minoritet mysliman, ndërsa Erdogan thotë se ata janë turq.

“Në marrëveshjen e Lozanës shkruhet qartë se minoriteti në Trakë është turk dhe jo mysliman. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe Gjykata Ndërkombëtare, por asnjëhere nuk është njohur dhe trajtuar si i tillë nga Athina”, u shpreh ai.

Erdogan thotë se në këtë pjesë të Greqisë ka përpjekje për të kontrolluar myftininë. “Myftinjtë nuk e zgjedhin kryemyftiun. Atje ka tentativa të kontrollohet myftinia jo nga fetarët, por nga shteti”, vijoi ai.

Presidenti turk thotë se të gjitha këto e kanë nxjerrë jashtë funksionit Traktatin e Lozanës dhe përdori fjalën “riaktualizim”, kur kërkoi një ujdi të re mes dy vendeve.

“Kur flasim nga bregu ynë, dëgjohet në anën tjetër. Dëshiroj që të mos merremi me pjesën boshe të gotës, por të shihim pjesën e mbushur të saj dhe të shtojmë bashkëpunimin. Besoj se vizita do të lerë menjanë 65 vitet dhe të shohim nga e ardhmja”, ishte apeli i Presidentit turk.

Nga ana e tij, edhe Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë që Greqia të jetë porta hyrëse e Turqisë për në BE, por kur u cek Traktati i Lozanës, ishte i prerë.

“Kjo është dhe duhet të mbetet një vizitë historike për dy vendet, por edhe për rajonin. Dy vendet i lidh miqësi e vjetër. Jemi të gatshëm të jemi porta e Turqisë drejt Bashkimit Europian. Duhet të kemi respekt për të drejtën ndërkombëtar, siç edhe respekt për standardet e arritura europiane. Respektimi i Traktatit të Lozanës është zgjidhja e vetme për paqen në rajon”, tha Pavlopulos.

***

Presidenti turk Erdogan mbërriti për një vizitë zyrtare në Greqi.

”Kjo vizitë, e para e një presidenti turk në Greqi, pas disa dekadash, është një shans për të dyja vendet për të bërë hapa të rëndësishme përpara”, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras në një intervistë për AA.

“Në këtë kontekst ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në fushat e sigurisë dhe drejtësisë”, theksoi ai.

“Fillimisht ne duhet të ecim përpara me axhendën tonë të përbashkët për bashkëpunimin për migracionin, ekonominë dhe kontaktet njerëzore”, tha Cipras.

Ndërkohë, presidenti turk, duke folur para një audience greke, përpara fillimit të vizitës, tha se ”marrëdhëniet e këqija mes dy vendeve janë një gjë që i përket së kaluarës”.

Vlen të theksohet se vizita e Erdoganit në Greqi shoqërohet me masa të shtuara sigurie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test