Euro-udhëheqësit, kush ngjitet dhe kush zbret

Evropë

Euro-udhëheqësit, kush ngjitet dhe kush zbret

Nga: A.S Më: 2 janar 2018 Në ora: 08:41
Macron dhe Merkel

Kanë kaluar pak muaj nga zgjedhjet në Gjermani, të cilat do të duhej të përforconin lidershipin e pafundëm të Frau Merkelit. E megjithatë, udhëheqja e saj nuk është shfaqur kurrë më e pasigurtë, dhe vetë Gjermania duket se po marshon rrezikshëm drejt një humnere politike. Me të, edhe zonjës tjetër e politikës evropiane, Theresa May, pas humbjes elektorale i është dashur të marrë shuplakën e Uestminster, që ka kërkuar të ketë fjalën e fundit mbi modalitetet e Brexit, duke ridimensionuar jo pak rëndësinë strategjike të marrëveshjes paraprake të arritur me aq mund, mes kryeministres May dhe presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Nëse cikli i gjatë i Angela Merkelit nuk është përmbullur ende përfundimisht, e sigurtë është që Angela nuk është më zonja e pakundërshtueshme e politikës gjermane. Nëse strategjia e saj e miklimit të socialdemokratëve, antagonistë historikë të popullorëve në sistemin partiak të Republikës Federale, ka patur sukses, ajo ka bërë gjithësesi që në krahun e djathtë të afirmohej një formacion shumë më tinzar, jo vetëm për demokracinë gjermane (dhe në perspektivë, për qetësinë evropiane), por mbi të gjitha për Cdu/Csu.

Merkel sigurisht që paguan për 12 vitet e njëpasnjëshëm si kancelare dhe në mënyrë të veçaëntë politika e saj bujare mbi imigrimin, që nuk mbështetet nga shumë gjermanë, me të cilën, përveç se të pohonte vlerat me të cilat beson dhe me të cilat është formuar, synonte të ruante lidershipin e saj në Evropë. E pabesueshme, por vajza që erdhi nga Lindja ka nënvlerësuar humorin dhe kuadrin politik të Gjermanisë së ribashkuar. Këto nuk ishin më tërësisht të pajtueshme me ato të shumicës në pjesën perëndimore të vendit. Dhe pikërisht në Lindjen “e saj”, u konsolidua mbështetja për AfD (Alternativa për Gjermaninë), e cila forcohet sa më shumë që partia radikalizohet.

Nuk është shfaqur asnjëherë as i sigurtë dhe as jetëgjatë pushteti i Theresa Mayt në Mbretërinë e Bashkuar. Pasi trashëgoi udhëheqjen nga konservatorët, në vijim të vetëvrasjes politike të David Cameronit, i cili e lidhi fatin e tij me Brexit, kryeministrja angleze u gjend e lidhur sërish me Brexit, që po ia përcakton asaj fatin, me ritmin e humbjeve elektorale dhe pritave parlamentare.

Pretendentët për vendin e saj nuk mungojnë (duke filluar nga Ministri i Jashtëm “vullkanik”, Boris Johnson), por ndjesia është që të gjithë preferojnë ta zvarrisin sa më shumë Mayn me tratativat për Brexit. Një dalje nga BE që, sot, shumica e votuesve britanikë nuk e duan më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat