Vend në udhëkryq - Sllovakia pas vrasjes së gazetarit

Evropë

Vend në udhëkryq - Sllovakia pas vrasjes së gazetarit

Më: 3 mars 2018 Në ora: 09:30
Sllovaki

Mijëra vetë demonstruan të premten në Sllovaki pas vrasjes së gazetarit investigativ, Ján Kuciak e të fejuarës së tij. Kolegët e Kuciaks e shohin Sllovakinë në udhëkryq. Shtet i mafias apo shtet normal europian?

Kohë e mjegullt dhe temperatura të ulta në mbrëmjen e së premtes në Bratislavë, ajri i mbushur me kristale bore, një kohë, kur njerëzit qëndrojnë në shtëpi me një tas çaji në dorë. Por në këtë mbrëmje dhjetëra mijëra vetë mbushin sheshin e lirisë në qendër të Bratislavës. Disa mbajnë flamuj europoanë, të tjerë pllakate ku shkruhet „Mafia jashtë vendit tonë!" „Stop mafies!"

I vrarë për shkak të investigimit kundër mafias?

25.000 vetë u mblodhën në kryeqytetin sllovak, sipas organizatorëve, për të nderuar kujtimin e gazetarit të vrarë Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnírová. Çifti 27 vjeç u vra në shtëpinë e tij në fshatin Velka Maca, rreth 60 kilometra në lindje të Bratislavës nga persona të panjohur deri më tani, një ekzekutim.

Motivi që mendohet: Kuciak kishte investiguar në muajt e fundit për lidhje mes politikanëve qeveritarë dhe mafias italiane në Sllovaki. Kjo i kushtoi atij dhe të fejuarës jetën, sipas të dhënave të deritanishme të hetimeve.

Ndër të parët që zënë vend në skenë në sheshin e lirisë është edhe presidenti i vendit, Andrej Kiska. Ish-sipërmarrësi dhe filantropi, që e dhuron rrogën mujore për qëllime bamirësie është pak a shumë si ndërgjegjja e vendit. Me gjeste e fjalime të guximshme ai ka dashur ta zgjojë ndërgjegjen e qytetarëve sllovakë. Këtë mbrëmje 55-vjeçari nuk mban fjalim, ai thotë vetëm me ton të ulët, se do të përkujtojë në heshtje. Kiska ndez një qiri, largohet një hap nga mikrofoni, ul kokën, dhe hesht për një minutë. Heshtje e plotë në sheshin e lirisë në këtë moment, një heshtje që ngre zërin më shumë se të gjitha fjalimet që do të mbahen më vonë në këtë miting nderimi për gazetarin.

Sllovakia në gjendje të jashtëzakonshme

Kiska zbret më vonë mes demonstruesve, përzihet me njerëzit dhe dëgjon fjalimet. Flasin gazetarë, emra të njohur në Sllovaki. Njëri prej tyre është Árpád Soltész, një veteran i gazetarisë investigative sllovake, që është rrahur rëndë për shkak të hulumtimeve të tij e duhej të shtrohej në spital. Edhe Beata Balogová, kryeredaktore e gazetës së pavarur "Sme", mban një fjalim. Por më shumë duartrokitje merr Martin M. Simecka nga e përditshmja "DenníkN", që akuzon qeverinë sllovake e dyshon, nëse hetimet po merren seriozisht.

Sllovakia është këto ditë në gjendje të jashtëzakonshme. Vrasja e Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij mund të sjellë një krizë shtetërore, një krizë që ky vend nuk e ka parë që prej 25 vitesh, kur bëhej fjalë për pavarësinë. Investigimet e Kuciaks bëjnë të qartë, se mafia italiane, me sa duket prej vitesh ka kryer aktivitete kriminale pa rënë në sy në Sllovaki. Më shumë se kaq, prej tyre mund të kuptohet se mafia ka pasur lidhje deri në nivelet shtetërore përmes dy prej këshilltarëve të rëndësishëm të kryeministrit sllovak, Robert Fico, përfshirë edhe mundësinë e marrjes në dorë të dokumenteve sekrete.

Edhe më parë ka pasur raportime për afera korruptive të kreut të qeverisë sllovake, ministrit të tij të Brendshëm Robert Kalinák dhe qeveritarëve të tjerë. Por reagimet e kryeministrit ishin fyerjet e gazetarëve me epitete si „xhihadistë", „hiena", idiotë", „prostituta antisllovake", „merimanga tualeti". Fakti që vrasja e gazetarit nuk ka shkaktuar ndonjë furtunë në qeveri i trondit gazetarët e tjerë sllovakë. Vërtet që ministri i Kulturës, Marek Madaric, që ngrinte zërin kundër korrupsionit dha dorëheqjen. Edhe dy këshilltarët e Ficos, që u akuzuan për lidhje me mafian, ish-modelja Maria Troskova dhe këshilltari i sigurisë, Viliam Jasan kanë pezulluar detyrën. Por kryeministri vazhdon punën si më parë. Ai premton zbardhjen e vrasjes dhe fajëson opozitën dhe mediat se po e përdorin vrasjen e Kuaciak për „qëllime armiqësore kundër qeverisë.

Gazetarët të tronditur

"Në çdo vend normal një rast si ky i vrasjes së gazetarit Kucia dhe fejuarës së tij do të sillte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm apo të Drejtësisë, të paktën për arsye morale, por këtu askush nuk ndjen përgjegjësi morale", thotë Peter Habara. 28 vjeçari ka punuar bashkë me Kuciak. Vrasja e kolegut e ka tronditur gazetarin e ri. Ai thotë, se nuk beson, që vrasësit do të kapen, por të paktën kjo tragjedi duhet të bëjë që „ky vend të zgjohet dhe të kuptojë, se çfarë skandale të tmerrshme korrupsioni ndodhin këtu." Edhe gazetarët Beata Balogová dhe Matús Kostolný, kryeredaktorë të të përditshmeve "Sme" dhe "DenníkN" mendojnë si kolegu i tyre. „Mendonim se Sllovakia është një vend normal europianoqendror", thotë Kostolný. „Lexonim për vrasjen e gazetarëve në Rusi, Ukrainë, dhe mendonim kjo gjë është larg nesh. Tani kjo ndodh në vendin tonë. Ndodhemi në një pikë kthese." Edhe kryeredaktorja Balogová flet për një moment kthese në vendin e saj. „Tani bëhet fjalë se ç'rrugë do të marrë vendi dhe shoqëria jonë, bëhet fjalë nëse jemi një shtet i mafias apo jo."/dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat