Svarqa inspekton cilësinë e shërbimeve në Mjekësinë Familjare

Ferizaj

Svarqa inspekton cilësinë e shërbimeve në Mjekësinë Familjare

Më: 30 janar 2017 Në ora: 13:59
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa në mjediset e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, qëndroi sot në mjediset e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, për të parë nga afër cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe efektin e investimeve që janë bërë në këtë sferë të shëndetësisë publike.

Ai foli me pacientë dhe me drejtues të shëndetësisë familare, për të marrë opinione rreth gjendjes aktuale dhe mundësive për përmirësimin e shërbimeve.

Drejtoresha e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Ibadete Bucaliu, bëri të ditur se kohëve të fundit është bërë një hulumtim i opinioneve të pacientëve lidhur me shërbimet e personelit shëndetësor dhe tha se  rezultatet kanë dalë të mira.

Ajo veçoi angazhimin e stafit shëndetësor sidomos gjatë vizitave shtëpiake pacientëve që nuk kanë mundësi të vijnë tek mjeku dhe funksionimin e mirë të shërbimit emergjent.

Svarqa i tha stafit drejtues të shëndetësisë dhe të mjekësisë familiare se duhet të gjejnë zgjidhje për problemet që varen nga faktori njeri.

Ai kërkoi nga drejtuesit e shëndetësisë dhe të mjekësisë familiare që të jenë më syçelë rreth funksionimit të pikave shëndetësore nëpër fshatra, ta mbikëqyrin punën e stafit mjekësor dhe t’i përcaktojnë vetë afatet e eliminimit të dobësive e vështirësive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat