Nëna e të riut të vrarë në Ferizaj nuk mundi të dëshmojë - Bota Sot
Nëna e të riut të vrarë në Ferizaj nuk mundi të dëshmojë

Ferizaj

E martë, 12 dhjetor 2017

Nëna e të riut të vrarë në Ferizaj nuk mundi të dëshmojë

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 23:25
ilustrim

Nëna e Samir Rexhepit, të riut të vrarë vitin e kaluar në Ferizaj, nuk mundi të dëshmojë për shkak të emocioneve dhe gjendjes së rënduar shëndetësore.

Në gjykimin e Meriton Aliut, të akuzuarit për vrasjen e Samir Rexhepit edhe pse ishte paraparë të dëshmojë, nuk mundi ta bëjë këtë gjë nëna e të vrarit për shkak të emocioneve dhe gjendjes së rënduar shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli shtyu pastaj dëshminë e saj.

Por djali i xhaxhait të Samir Rexhepit tregoi në gjykatë çastet e fundit të jetës së të ndjerit.

Agron Momçilla që dëshmoi në gjykimin ku Meriton Aliu po akuzohet për vrasjen e Samir Rexhepit, dha detaje se si vdiq djali i axhës së tij.

Momçilla që ditën e vrasjes së Samir Rexhepit në gushtin e 2016-ës ishte bashkë me të, përshkroi në detaje ngjarjet që ndodhën ditën kritike.

Tha se derisa bashkë me Samir Rexhepin po lëviznin nëpër Rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, e dëgjuan një fishkëllimë dhe panë Meriton Aliun me dy persona tjerë që po i thërriste duke ua bërë edhe me dorë.

Më tutje dëshmitari Agron Momçilla tha se Samir Rexhepi i tha Meriton Aliut “qysh ke mujt me mi thanë ato fjalë në telefon”, ndërsa Aliu ia ktheu” mos u ngut he burrë”.

Sipas Momçillës, Samir Rexhepi e Meriton Aliu pastaj u futën në një hyrje të banesës për t’u sqaruar rreth fjalëve që shkëmbyen, ndërsa prej asaj hyrjeje, dëshmitari tha se ata të dy dolën  të qeshur.

Momçilla tregoi se më pas Meriton Aliu e kapi për krahu Samir Rexhepin dhe së bashku përsëri u futën në një hyrje tjetër të banesës, 100 metra larg nga e para.

Momçilla tregoi se dy minuta më vonë dëgjoi tri krisma, ndërsa shpjegoi se u nis me vrap drejt hyrjes së banesës për të shikuar se çfarë ndodhi.

Tha se e gjeti të gjakosur Samir Rexhepin.

“Shkova afër tij, iu afrova te koka. I bërtita Samir, Samir, Samir, po ai nuk mu përgjigj, vetëm u dridhke”, deklaroi dëshmitari Momçilla.

Momçilla deklaroi se Meriton Aliun e njihte vetëm sipërfaqësisht, ndërsa nuk kishte njohuri se Aliu e Rexhepi kishin mosmarrëveshje.

Pas Agron Momçillës dëshmoi vëllai i tij Dritoni.

Driton Momçilla tha se i akuzuari Meriton Aliu dhe tash i ndjeri Samir Rexhepi ishin shokë.

“Unë Meritonin e kam njohur qe 7-8 vjet, edhe e di qe me Samirin kanë qenë shokë të mirë, madje edhe kafe kur jem kanë tu pi ata kanë diskutuar lidhur me kohët sa kanë qenë në shkollë fillore së bashku“,  tha Driton Momçilla.

Momçilla tha se vrasësi i Samir Rexhepit është në burg.

“Unë e di që ai person qe e ka vra Samirin tash është n’burg , po hiç nuk besoj qe ky person ka qenë veç vetë në  momentin kur e ka vra“, tha Driton Momçilla.

Sipas aktakuzës, Meriton Aliu më 18 gusht 2016 rreth orës 18:00 në hyrje të banesës kolektive në rrugën “Rexhep Bisimi“ në Ferizaj me dashje privoi nga jeta Samir Rexhepin duke shtënë në drejtim të tij me revole.

Seanca e radhës u caktua më 20 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test