Alonso: McLaren duhet ta përmirësojë motorin

Formula 1

Alonso: McLaren duhet ta përmirësojë motorin

Më: 21 mars 2017 Në ora: 22:51
Fernando Alonso me veturen e tij

Fernando Alonso ka shmangur euforinë në prag të garës për Çmimin e Madh të Australisë, i pari për botërorin e Formula 1 për vitin 2017.

Piloti spanjoll i McLaren Honda e pranon se në testet parasezonale, skuadra e tij ka hasur disa vështirësi, që do të reflektohen edhe në rezultatet e para.

“Jemi të përgatitur për të përballuar një fundjavë të vështirë, pas rezultateve që morëm në testet parasezonale. Do të bëjmë më të mirën me gjithçka kemi në dispozicion. Brenda skuadrës sonë ka bashkëpunim, por nuk kemi shumë kohë në dispozicion për të bërë ndryshime të mëdha”, është shprehur ai.

Sikurse thekson Alonso, hapi i parë duhet të hidhet në përmirësimin e motorit. “Është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë para se të mendojmë për rezultatet. Në fundjavë do të provojmë të bëjmë më të mirën”.

Për të njëjtat probleme ka folur edhe Yusuke Hasegawa, personi përgjegjës për projektin e Hondas në Formula 1.

Sipas japonezit po punohet shumë për përmirësimin e bolidit në prag të sezonit të ri. Synimi është që Honda McLaren të jetë më konkurruese gjatë 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat