Dovizioso triumfon edhe në Barcelonë

Formula 1

Dovizioso triumfon edhe në Barcelonë

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 15:11
Pamje nga gara

Dovizioso triumfon edhe në Barcelonë, kandidat për titullin në MotoGP. Andrea Dovizioso me Ducati fitoi garën e Çmimit të Madh të Katalunjës (Barcelonë), suksesi i dytë radhazi për pilotin italian, që hyn në valle për titullin kampion në Moto GP. Pas triumfit shtatë ditë më parë në Mugello, Dovizioso përsëriti të njëjtin rezultat edhe në pistën e Montmelo, duke konfirmuar faktin se po kalon një moment të shkëlqyer. Në vendin e dytë e të tretë u klasifikuan dy pilotët spanjollë të Honda, me Marc Marquez që u rendit i dyti, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Dani Pedrosa (i treti). Ky i fundit e nisi garën nga “pole”, por u detyrua të kënaqet me podiumin. Zhgënjen Valentino Rossi, i teti, që pati shumë vështirësi të pilotonte motorin Yamaha.

Gara ka qenë e ekuilibruar për më shumë se 15 xhiro, ku në krye alternoheshin nga xhiro në xhiro mjaft pilotë, përfshi edhe Jorge Lorenzo me Ducatin tjetër. Por spanjolli shpejt tërhiqet nga dueli për fitore, aty ku duelojnë mes tyre Dovizioso e dy pilotët e Honda, Marquez e Pedrosa. Por 10 xhiro nga fundi Dovizioso kap kreun, pasi parakalon dy spanjollët dhe nuk e lëshon atë deri në fund, duke u shkëputur mbi 3 sekonda. Kjo treshe garon me vete, ndërkohë që në vendin e katërt renditet Lorenzo e pas tij Zarco, Folger e Bautista. Vetëm i teti Valentino Rossi me Yamaha, që la pas Barbera dhe shokun e skuadrës Maverick Vinales (i dhjeti), raporton telesport.

Në renditjen e përgjithshme të MotoGP, në krye të saj ndodhet sërish spanjolli i Yamaha, Maverick Vinales, tashmë në kuotën e 111 pikëve, ndërsa Dovizioso ngjitet në vendin e dytë, me 7 pikë pas spanjollit. Pas italianit ndodhet dy spanjollët e Honda, me Marquez që ka 88 pikë e Pedrosa 84, një më shumë se Valentino Rossi, në vendin e pestë me 83 pikë. Gara e radhës e Botërorit pas dy javësh, në Holandë, në pistën e Assen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat