Zhgënjimi i Ferrarit

Formula 1

Zhgënjimi i Ferrarit

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 18:14
Ferrari

Zhgënjimi i Ferrarit në garën e fundit në Silverstone ka bërë që drejtuesit e makinës italiane të ulin kokën dhe të vazhdojnë punën, pasi në pak javë “kokëkuqja” humbi gjithë shkëlqimin e pjesës së parë të sezonit, ku ishte më dominuese në pistë. “Kemi humbur shumë pikë si në Botërorin e pilotëve ashtu dhe në atë për makina dhe kjo është një këmbanë alarmi për ne. Duhet të rikuperojmë me shpejtësi, duke ulur kokën dhe të punojmë fort, pa u ankuar”, ka thënë sot drejtori sportiv i Ferrarit, Maurizio Arrivabene.

Numri 1 i makinës italiane u shpreh më tej se në Angli ishin faktorët e jashtëm ata që ndikuan në këtë dështim, por pavarësisht kësaj ai nuk kërkon justifikime. “Patëm probleme me gomat, por kjo nuk duhet të na bëjë që t’ua hedhim fajin të tjerëve. Një garë mund ta humbasësh në start, në mesin e saj ose në finish dhe ne bëmë disa gabime që në fillimin e saj. Gjithsesi, Botërori është ende i hapur dhe duhet të rikuperojmë që në Hungari ato pikë të humbura në Angli”, deklaroi shefi i “kokëkuqes”, që synon fitoren në një pistë të favorshme për Ferrarin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat