Edhe pse gabimet e Sebastian Vettel kanë qenë të shumta në këtë periudhë të Botërorit të Formula 1, që i kanë kushtuar titullin kampion, rivali i tij kryesor Lewis Hamilton i ka dalë në mbrojtje. “Mendoj se mediat duhet të tregojnë më shumë respekt për Sebastian. Nuk e keni idenë se sa e vështirë është të bëjmë këtë deyrë, në nivelin tonë. Jemi njerëzorë dhe për këtë arsye bëjmë edhe gabime, por ajo që ka rëndësi është se si i përballojmë ato dhe vazhdojmë të shohim përpara”, tha Hamilton.
Vettel ka përfunduar në qendër të kritikave pas disa gabimeve që ai dhe makina Ferrari kanë bërë garat e fundit, që kanë nisur nga gara e Baku e kanë vazhduar në Austri, Gjermani, Itali e së fundi në Japoni. Tashmë për pilotin gjerman të “kokëkuqes” fitimit të titullit kampion është një mirazh, pasi është 67 pikë pas Hamilton, të cilit i mjafton të fitojë 8 pikë më shumë se Vettel në garën e ardhshme për t’u shpallur kampion. Britaniku i Mercedes mund të shpallet kampion që në garën e radhës, në pistën e Austin.