Një pengesë mjaft e vështirë për kuqezinjtë

Futboll

Një pengesë mjaft e vështirë për kuqezinjtë

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 13:20
Një pengesë mjaft e vështirë për kuqezinjtë

Pas dy barazimeve radhazi, Milani do të udhëtojë drejt Emilia Romagnas për t’u përballur me Sassuolon në “Mapei Stadium”, një pengesë mjaft e vështirë për kuqezinjtë, që kanë si synim të festojnë Krishtlindjen në vendin e parë të renditjes.

Trajneri Stefano Pioli doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku foli jo vetëm për mungesën e Ibrahimoviq, por edhe dyshimet për gjendjen fizike të Rebic, megjithatë theksoi se skuadra shkon për të marrë 3 pikët ndaj Sassuolos.

Te Milani shënojnë shumë futbollistë…
Është një plus për ne, pasi tregon se jemi të paparashikueshëm, pasi në të kundërt kundërshtarët tanë do ta kishin shumë të lehtë të bllokonin pikat tona të referimit. Duhet të jemi gjithmonë kërkues dhe të shkojmë me sa më shumë futbollistë në zonën kundërshtare. Një trajner është gjithmonë i kënaqur kur shënojnë të gjithë në skuadrën e tij.

Jeni i kënaqur me rrugëtimin e bërë gjatë këtij viti dhe me vendin e parë në renditje?
Jemi të vetëdijshëm për punën që kemi bërë gjatë këtij viti kalendarik, por gjithashtu e kemi të qartë që jemi në fillim të rrugëtimit tonë dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Skuadra është konsoliduar dhe tani lojtarët e kanë të qartë çfarë dua prej tyre në fushë, ndaj kemi arritur të marrim 15 pikë më shumë sesa një vit më parë. Megjithatë këtë sezon kampionati është shumë i ngjeshur dhe sigurisht që arritja e objektivit do të jetë shumë më e vështirë.

Sa e vështirë do të jetë ndaj Sassuolos?
Flasim për një skuadër të konsoliduar tashmë, që vendoset mirë në fushë dhe që ka futbollistë shumë të shpejtë e të zgjuar. Është një skuadër shumë cilësore dhe e stërvitur mirë, ndaj duhet ta përballojmë me vëmendjen maksimale dhe të jemi të zotët të kuptojmë momentet vendimtare të lojës. E përballojmë me respekt Sassuolon, por njëkohësisht me dëshirën për të marrë 3 pikët.

Çfarë ndodhi me Ibrën?
Ishte një ditë e vështirë dje, pasi para stërvitjes ishim të bindur që mund ta aktivizonim për disa minuta ndaj Sassuolos, por më pas ndodhi ai dëmtim. Më vjen keq për të pasi kishte shumë dëshirë të ndihmonte skuadrën, por është një kampion dhe jam i bindur që do të rikthehet më i fortë se më parë.

A janë gati Rebic e Leao të kompensojnë mungesën e Ibrës?
Rebiç ka bërë shumë mirë dhe nëse deri tani nuk ka shënuar, kjo ka ndodhur vetëm për meritë të portierëve kundërshtarë, të cilët kanë bërë pritje të jashtëzakonshme. Ndaj Genoas pati një problem të vogël dhe vetëm gjatë nxehjes nesër do të kuptojmë nëse do të jetë gati për të luajtur apo jo. Leao vjen pas një dëmtimi dhe i mungon pak intensiteti, por është gati edhe ai të bëjë më të mirën në fushë. Ai e di çfarë duhet të bëjë dhe i duhet vetëm pak përmirësim i gjendjes fizike për t’u shprehur më mirë.

A keni planifikuar merkaton e dimrit dhe a do të kërkoni një zëvendësues për Ibrën, duke parë dëmtimet?
Ne kemi folur shpesh me drejtuesit dhe e dimë se ku duhet të ndërhymë për t’u përmirësuar. Natyrisht që ka nevojë për përmirësime, pasi po luajmë një sezon shumë intensive, me ndeshje çdo tre ditë, por kjo nuk lidhte me dëmtimin e Ibrës. Nëse do të jenë mundësitë e duhura, nuk do ngurrojmë të përforcojmë organikën.

Me dëmtimin e Kjaer skuadra ka pësuar 4 gola në dy ndeshje…
Nuk është çështje emrash, pasi e gjithë skuadra duhet të bëjë mirë në fazën defensive. Fakti që kemi pësuar 4 gola, do të thotë që nuk kemi bërë mirë në kohën kur topin e ka pasur kundërshtari, megjithatë kemi mundësi të bëjmë më mirë.

Jeni i kënaqur me performancën e Tonalit?
Ai është një lojtar me cilësi ndryshe nga Bennacer, por po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Merr pjesë në të gjithë fazat e lojës dhe ka një marzh shumë të lartë përmirësimi, ndaj po luan vazhdimisht dhe po rritet duke bërë ndeshje cilësore.

Sa i rëndësishëm është Calhanoglu për Milanin?
Është një lider i vërtetë, një futbollist shumë i zgjuar dhe teknik. Di të përshtatet shumë mirë me të cilindo që të ketë në krah, ndonëse kohët e fundit kemi hasur disa vështirësi taktike. Unë dua që ai të luajë sa më lart, por shpesh duhet të vijë mbrapa për të na nxjerrë nga situate të komplikuara. Megjithatë është një lojtar inteligjent, që merr pjesë në të gjithë aksionet sulmuese dhe që sigurisht mund të shënojë shumë më tepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat