Paralajmërohet Tirana

Futboll

Paralajmërohet Tirana

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 17:41
Paralajmërohet Tirana

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur sot për të analizuar sjelljet josportive të shfaqura gjatë javës së kaluar në fushat e futbollit, teksa vëmendja ka qenë te sherri Krymi-Bitri në ndeshjen Partizani-Vllaznia.

Të dy u ndëshkuan me karton të kuq nga arbitri Eldorian Hamiti, por Disiplina pezulloi me dy javë mesfushorin shkodran, që reagoi dhe goditi mbrojtësin e kuq.

Sipas vendimit të pezullimit, Krymi humb jo vetëm ndeshjen me Laçin këtë të premte, por edhe atë me Apoloninë javën e ardhshme, megjithatë klubi shkodran mund të vendosë ta konvertojë në në gjobë javën e dytë të dënimit.

Ndërkohë Komisioni i Disiplinës ka paralajmëruar edhe klubin e Tiranës, se do të ndëshkohet nëse do të kryejë sërish stërvitje në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa dënimet e tjera kanë qenë në ligat më të ulëta.

Ja vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës:
1. Lojtari i KF Vllaznia, Ardit Krymi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

2. KF Tirana, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

3. KS Kastrioti U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër KF Bylis U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.

4. Lojtari i KF Shkodra U-19, Albi Shpuza, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Lojtari i Shkëndija Dr. U-19, Eldi Mala, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat