Genc Tamniku - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës: Na urdhëruan me u shtri në baltë...

Futboll

Genc Tamniku - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës: Na urdhëruan me u shtri në baltë...

Nga: Kemajl Goca Më: 21 maj 2021 Në ora: 18:16
Genc Tamniku

Sfida të mëdha në vitet e 90-ta (1991-1999), sportistët shqiptarë shumë herë u keqtrajtuan dhe u rrahën nga pushtuesi serb! 

Shumë ndeshje u ndërprenë, ka pasur edhe plot zyrtarë të klubeve, federatave dhe veprimtarë sportivë, që u arrestuan e disa dhe u burgosën.

Genc Tamniku i takon Gjeneratës së Republikës, ka qenë prej mesfushorëve defensivë me të dalluar dhe me sukses ka luajtur për klubin e futbollit Liria nga Prizreni, me të cilën doli kampion në vitin 1994-1995.    

Tamniku kujton shumë vështirësi por është krenar që me shokë iu kundërvu fuqishëm regjimit serb.

“Me kujtohet në fushën në Gjinovc, nuk na lejuan me luajtur me Suharekën. Aty i rrahën trajnerët tanë Gafurr Kaçanikun dhe Sinan Osmanin”, tregon Tamniku për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Më tej tregon një detaj shumë interesant, gjatë një udhëtimi me moltikuvator, ku i ndalen milicia e pushtuesit serb.

“Duke shkuar për në Rahovec, me një moltikuvator, na ndal milicia, mbi 7 lojtarë na urdhëruan mu shtri në baltë në rast se doni me kaluar këndej. Ky ka qenë një maltretim i tmerrshëm”, thotë Tamniku. 

Ish futbollisti tha se kishte provokime edhe nga serbët që jetonin në Prizren, madje iu bëni edhe oferta.

“Edhe shumë oferta kemi pasur nga një klubi i ashtuquajtur ‘Metohia’, që përbëhej nga serbët. Na afruan si banesa, lokale apo pllac, lloj - lloj ofertash. Të gjitha i refuzuam dhe as që donim të diskutonim me ta”, tregon Tamniku.  

Ai si shumë sportistë të tjerë, ishte halë në sy për regjimin serb. Tamniku nuk u ndal asnjëherë në shërbim të futbollit dhe sportit në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat