Barcelona e ndan mendjen

Futboll

Barcelona e ndan mendjen

Më: 28 prill 2022 Në ora: 12:15
Barcelona e ndan mendjen

Mund të konkretizohet mundësia që Robert Lewandowski të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit, për t’u transferuar në Spanjë dhe për të veshur fanellën e Barcelonës.

Sipas asaj që publikon sot e përditshmja “Marca”, Mateu Alemany, drejtori sportiv i klubit katalanas, tashmë ka takuar agjentin e qendërsulmuesit polak, Pini Zahavi, për ta informuar se Barcelona është e gatshme të paguajë 35 milionë euro për kartonin e klientit të tij.

Lewandowskit do t’i ofrohet një kontratë 2-vjeçare, e cila mund të zgjatet me një vit. Barcelona gjithashtu vazhdon të ndjekë një tjetër sulmues. Ai është Álvaro Morata, aktualisht te Juventusi, por kartoni i të cilit i përket Atletico Madridit.

Hapat janë ende duke u ndërmarrë që Robert Lewandowski, sezonin e ardhshëm të bëhet lojtar i Barcelonës. Pasi presidenti i katalanasve, Joan Laporta, iu pranoi disa tifozëve javën e kaluar se sulmuesi i Bayernit “është ai që ka shanset më të mira për të ardhur”, agjenti i polakut, Pini Zahavi (një mik i ngushtë i Laportës) ka marrë përgjegjësinë për operacionin.

Ai po ndërmjetëson mes dy klubeve dhe siguron se polaku do të përfundojë me fanellën e Barçës, siç është dëshira e tij, pasi i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm me Bayernin. Gazeta ‘Bild’ bën të ditur këtë të mërkurë se Bayern Munich tashmë supozon se përfaqësuesi i Lewandowskit do të paraqitet në takimin që kanë caktuar për këtë javë me një ofertë konkrete nga një klub, teksa gjithçka tregon se do të jetë ajo e Barçës,  për transferimin e sulmuesit polak.

Lewandowski, 33 vjeç, e përfundon kontratën e tij në qershor 2023 dhe, pavarësisht se fundjavën e kaluar drejtori sportiv, Salihamixhiq, mbylli derën për largimin e polakut, tani Bayerni ka filluar të supozojë se mund ta humbasë atë.

Në harmoni me atë që u publikua nga mediat iberike, ‘Bild’ shpjegon gjithashtu se nga ambienti i lojtarit pranojnë se Lewandowski imagjinon ndryshimin e klubit verën e ardhshme. Për më tepër, deklarata e Hasan Salihamidzic se ‘Lewa’ nuk është në shitje, edhe nëse nuk arrin një marrëveshje rinovimi, nuk i ka shkuar mirë sulmuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat