Mehmeti kërkon përqendrim dhe hedh hije dyshimi: Trajneri është gjithmonë i rrezikuar

Futboll

Mehmeti kërkon përqendrim dhe hedh hije dyshimi: Trajneri është gjithmonë i rrezikuar

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 19:08
Mehmeti

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, në prononcimin e tij para mediave sot, ka deklaruar se skuadra duhet të harrojë çfarë ka bërë në ndeshjen e parë ndaj Saburtalos dhe të mundohet të bëjë edhe më mirë në sfidën e kthimit për Ligën e Konferencës. Tekniku ka saktësuar se ekipi ishte i përqendruar maksimalisht, por ndërkohë ka hedhur hije dyshimi për të ardhmen, duke deklaruar se nuk mendonte çfarë do të ndodhte pas këtyre 90 minutave.

“Mendoj se çdo ndeshje ka shkallën e vështirësisë së saj dhe mendoj se normalisht nga një ndeshje te tjetra ka historinë e tyre ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm për vështirësinë që ka kjo ndeshje. Duhet të harrojmë çfarë kemi bërë në Gjeorgji dhe të japim maksimumin në 90 minuta nesër, të vlerësojmë si dhe sa duhet kundërshtarët, të mos mendojmë çfarë kemi bërë por të interpretojmë siç duhet 90 minutat.

I kam shprehur gjithmonë problemet që kemi para portës, jo vetëm në ndeshjen me Saburtalos, edhe në kampionat kemi shfaqur probleme të tilla. Vija e parë, përveçse janë cilësorë, por janë edhe me moshë të re dhe në aspektin e sinkronizimit edhe në mënyrën si e interpretojnë, aty bëhet diferenca. Duhet të jenë të kujdesshëm si interpretojnë 20 metrat e fundit. Pozitive është që gjithë elementët që kemi, veprimet nuk i bëjnë se janë egoistë, por ndoshta duke u rritur, duhet të rriten edhe nga ana profesionale. Diferenca bëhet në këto detaje kur ti di të shërbesh apo përfundon vetë aksionin drejt finalizimit.

Mendoj se duhet të kemi parasysh që e njohim kundërshtarin por edhe ai na njeh. Saburtalo ka elementë të saj shumë të mirë, ka lojtarë cilësorë dhe e kam shprehur se ekipi punon shumë mirë me akademinë dhe të rinjtë. Ka edhe lojtarë që luajnë me Kombëtaren A dhe Shpresa dhe jemi koshientë që kanë vlerat e tyre, por edhe ne kemi vlera si skuadër dhe mendoj se do të jetë një ndeshje me ritëm. E dimë që nesër do të bëjmë maksimumin që sidomos në aspektin psikologjik skuadra ta interpretojë siç duhet se luhet para tifozerisë tonë dhe janë një shtysë e madhe. Do ti kërkojmë skuadrës të mos kalojë në entuziazmin e tifozerisë, të jetë me këmbë në tokë dhe të interpretojë drejt çdo situatë. Sa i përket mënyrës që interpretuam lojën, shënuam dhe ishte mënyra se si duhej të shkonim drejt golit, ia arritëm, patëm 2-3 momente për të rrezikuar para se kundërshtari të na vinte në pozitë të vështirë. Nuk ka trajner që do që skuadra të rrijë në fund e tërhequr poshtë, por kjo vjen edhe nga vetë lojtarët që kur nuk shënojnë, vendosen duke menduar të sigurojnë një rezultat që kanë. I kam kërkuar skuadrës të ketë besim te sigurimi dhe mbajtja e topit. Por në fund ishte edhe se skuadra kundërshtare është në kampionat dhe është ndryshe nga ne sa i përket formës fizike. Janë shumë faktorë që ndikojnë në minutat e fundit, shpresojmë që nesër të jemi më mirë në minutat e fundit.

Mësim nga gabimi i Tiranës? Jam i fokusuar te skuadra jonë, kam parë besimin te skuadra dhe çunat, e dimë shumë mirë forcën e kundërshtarit dhe vetes, që nga janari jemi munduar të shohim ndeshjet çdo 90 minuta dhe nuk shohim më gjatë apo atë që ka kaluar. Mendojmë se duhet të marrim gabimet tona dhe aty të përmirësohemi. Nuk them se nesër do të mbrojmë apo sulmojmë, por siç duhet në varësi të kundërshtarit, elementëve që kam mundohem t’i marr maksimumin. Ndeshja ka situata, ndaj është i bukur futbolli se është i paparashikueshëm dhe del jashtë kornizave të skemave.

Duke qenë periudhë merkatoje, them se Bitri është një lojtar që ka dhënë shumë për klubin dhe meriton respekt. Ai është pjesë e rëndësishme siç janë edhe të tjerë. Jemi të gjithë të barabartë në detyra të ndryshme. E kam ndërtuar skuadrën me Bitrin dhe pjesën tjetër të grupit që kur kam ardhur dhe shpresoj të vazhdoj me Bitrin dhe të tjerët.

Unë jam shumë komod ku jam për faktin se aq sa kam bërë në trajningun shqiptar kam qenë kampion dhe pse në Kategorinë e Parë, por edhe pjesë e Partizanit kur kam dalë kampion dhe kjo është krenari. Tani jam trajner i parë dhe shpresoj në këtë 90 minutësh të bëjmë mirë.

Jemi në periudhë merkato dhe skuadra është në tranzicion dhe janë larguar shumë elementë nga periudha kur fitonte titullin dhe jemi në formim e sipër. Por kjo skuadër ka boshtin e saj dhe janë disa elementë që janë të pazëvendësueshëm. Por që të përballosh një kampionat kaq të gjatë, se kemi detyrim objektivat madhore, duke pasur parasysh investimet që bën presidenti, vetë klubi të imponon objektiva madhorë. Nuk kemi gjëra të përcaktuara unë apo drejtori, por punojmë mirë bashkë që të marrim maksimumin në merkato, se dihet që në merkato edhe mund të gabosh.

Penalltitë? Ne trajnerët duhet të përgatitemi për gjithçka dhe duhet patjetër që të kemi parasysh që duhet të kesh besim te vetja dhe lojtarët janë profesionistë dhe kuptojnë gjithçka. Pavarësisht se në një ndeshje me vajtje-ardhje duhet të përgatitesh, nuk do të thotë që do shkojmë me penallti. Ne do të përgatitemi të japim gjithçka në 90 minuta, por pastaj për çdo të papritur, nuk ia lëmë asgjë spontanitetit. Për të gjithë faktorët, siç stërvitemi ne, stërvitet edhe kundërshtari.

Për të qenë i sinqertë, duhet të kuptojmë se trajneri është gjithmonë i rrezikuar pavarësisht se çfarë ke bërë më përpara. Është një nga profesionet më të vështira dhe më me presion. Por duhet të dish të menaxhosh presionin dhe nuk ndjehet fare në Kupat e Europës së kemi bërë maksimumin. Skuadra është në rindërtim e sipër. Nuk mund të menaxhoj të ardhmen se çfarë do të ndodhë, por jam i përqendruar me besim të plotë te skuadra dhe vetja për t’u përqendruar vetme në 90 minuta. Se çfarë ndodh më pas, nuk kemi menduar asgjë më tepër”, tha Mehmeti..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat