Kosova U17 nuk arrin t’i bëjë ballë Italisë U17 

Futboll

Kosova U17 nuk arrin t’i bëjë ballë Italisë U17 

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 21:22
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës U17 ka pësuar humbje në ndeshjen e parë në kuadër të turneut kualifikues të Grupit 8 për Evropianin 2023. Dardanët U17 nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë Italisë favorite, duke pësuar me shifrat 5:2, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Këtë ndeshje nga afër e kanë ndjekur edhe shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban, presidenti Agim Ademi dhe KE i FFK-së, teksa ajo nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë në një stadium futbolli në Indonezi.

Në pjesën e parë u zhvillua lojë më e baraspeshuar, e ku u shënua vetëm një gol. Ishte Simone Pafundi i cili zhbllokoi shifrat e ndeshjes në minutën e 26-të.

I njëjti lojtar realizoi edhe në minutën e 63-të, por paraprakisht realizuan edhe Gabriele Finocchiaro (47’) dhe Filippo Scotti (49’). Ndërkohë, Kosova arriti të shënojë në minutën e 76-të nëpërmjet Elvir Gashijanit. Më pas italianët shënuan sërish përmes Mattia Manninit (82’), teksa rezultatin përfundimtar e vendosi Fatjon Mulaj (84’).

Ndeshja tjetër e këtij grupi, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, u mbyll me fitoren e Finlandës ndaj Greqisë, me shifrat 2:1.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e zhvillon kundër Greqisë të shtunën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat