Emery, trajneri që mund të rikthejë ëndrrën

Futboll

Emery, trajneri që mund të rikthejë ëndrrën

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:52
Unai Emery

Aston Villa po kalon një moment shumë të mirë, me skuadrën që në mesjavë siguroi suksesin e tretë radhazi në kampionat, me triumfin ndaj Leicester dhe tani në horizont është shfaqur Europa.

Strategu i kësaj forme është trajneri Unai Emery, me 51-vjeçarin i cili mori drejtim e skuadrës më 1 nëntor të vitit të kaluar, në kohën kur klubi pak më parë kishte shkarkuar trajnerin Steven Gerrard.

Në momentin kur ish-trajneri i Sevilla-s, Emery mori drejtimin e Aston Villa-s, skuadra gjendej në vendin e 16 me 12 pikë pas 13 ndeshjesh, ndërsa tashmë, kur janë luajtur 29 javë Aston Villa qëndron në vendin e shtatë me 44 pikë, shumë pranë Europës.

Një ecuri fantastike që nisi me suksesin e 6 nëntorit ndaj Manchester United dhe mjafton të theksohet se edicionin e kaluar në Premier League, Aston Villa koleksionoi 45 pikë, pra në këtë sezon skuadra ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme.

Unai Emery ka rikthyer besimin te skuadra, drejtuesit, por edhe te tifozët të cilët tani shpresojnë edhe te Europa, me Aston Villa-n që nuk luan në kupat e Europës që nga sezoni 2010-2011.

Spanjolli deri më tani numëron 18 ndeshje në drejtimin e skuadrës, duke koleksionuar 10 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje në të gjitha kompeticionet, me një mesatare shumë të mirë edhe ne aspektin personal sa i përket fitoreve, momentalisht 55.5%.

Pas një pune shumë të mirë, të bërë ndoshta deri diku në heshtje dhe pa shumë zhurmë, tani tre herë fituesi i Europa League me Sevilla, sheh përpara sprintin final të sezonit, sepse ne pjesën e mbetur të kampionatit, Emery dhe Aston Villa do të masin forcat me skuadrat rivale sa  përket zonës Europiane dhe gjithçka do të varet nga 9 javët e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat