E pranojnë se Ballkani ishte më i mirë

Futboll

E pranojnë se Ballkani ishte më i mirë

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 11:21
Pamje nga ndeshja

Ballkani e regjistroi mbrëmë një fitore të madhe në Ligën e Kampionëve pasi e mposhti Ludogoretsin me rezultat 2:0, në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të kësaj gare.

Golat e Meriton Korenicës dhe Qëndrim Zybës ia krijuan një kapital solid ekipit të Ilir Dajës para lojës së kthimit, e cila do të luhet në Bullgari.

E mysafirët mbetën të impresionuar me atë që e tregoi ekipi ynë, për të cilin e pranojnë se ishte më i mirë në fushë.

Trajneri Ivaylo Petev mbeti i dëshpëruar me paraqitjen e ekipit të tij në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Duhet të zbuloj pse gjërat nuk funksionuan. Pas 10-15 minutash, diçka na prishi punë. Ballkani me të drejtë kaloi në epërsi dhe ishte më i mirë se ne. Patëm raste në pjesën e dytë, por e bëmë një lojë të dobët.

Futbolli është një lojë gabimesh”, deklaroi trajneri bullgar pas lojës.

Natyrisht, ai e pret reagimin e ekipit të tij në ndeshjen e kthimit, në tentim të përmbysjes së rezultatit të përballjes së parë.

Ndërkohë, edhe futbollisti i Ludogoretsit, Kiril Despodov, e pranon se kundërshtari i mbrëmshëm ishte më i mirë se ta.

Përfaqësuesi bullgar e përshëndeti lojën e ekipit Portokalli, i cili i kënaqi me paraqitje tifozët e pranishëm në stadium, por edhe ata që e ndoqën lojën përmes televizorit.

“E kam thënë edhe më parë që Ballkani është një ekip i organizuar mirë.

Ata bëjnë presion në vend që të mbrohen. Ne i lamë ta kontrollonin lojën deri në minutën e 30-të dhe nuk arritëm t’ju përgjigjeshim atyre. Ne e kishim vetëm një rast në fund”, u shpreh 26 vjeçari pas ndeshjes.

Ballkani do të shkojë në Bullgari për ta ruajtur rezultatin e mbrëmshëm dhe për të kaluar kështu në rrethin e dytë kualifikues të Championsit, për ta vazhduar rrugën e nisur vitin e kaluar kur e shkroi historinë në garat evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat