“Final 4” është zyrtarizuar, por formati mund të ndryshojë

Futboll

“Final 4” është zyrtarizuar, por formati mund të ndryshojë

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 15:51
Pamje nga mbledhja

Vonesa dhe lënia e gjërave në momen tin e fundit është bërë një trend i zakonshëm tashmë në Shqipëri, teksa nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe futbolli. Jemi në muajin korrik dhe afër nisjes së sezonit të ri të Superiores e për këtë FSHF-ja ka bërë zyrtare edhe datën e fillimit të kampionatit që do të jetë 19 gushti, por lidhur më të, janë disa problematika, të cilat duhet të zgjidhen sa më shpejt.

SHORTI – Nuk na ndajnë shumë ditë nga fillimi i kampionatit dhe çuditërisht ende nuk është hedhur shorti, të paktën i Kategorisë Superiore që nis edhe e para nga kompeticionet e organizuara nga federata. Por çfarë e pengon hedhjen e shortit?

Pak më shumë se një javë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi ndryshimin e formulës në Superiore, duke shtuar një fazë “play off”, e quajtur “Final 4”, e cila do të vendosë edhe titullin kampion pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në total nga katër vendet e para të renditjes pas 36 javësh. Edhe pse vendimi është marrë, presidenti i Tiranës, Refik Halili, dhe drejtori i Partizanit, Arbër Abilaliaj, u shprehen se janë kundër këtij formati. Nga ana tjetër, FSHF nuk i ka dhënë një përgjigje ankesës ose kundërshtimit publik të dy klubeve më të mëdha në Shqipëri, si Partizani dhe Tirana, për skemën.

ÇFARË LUHET – Gazeta mëson se në korridoret e FSHF-së dhe të klubeve flitet se mund të ketë një ndryshim të formulës, e cila nuk është pranuar nga të gjithë dhe sa i përket fazës “Final 4” mund të mos jetë me zerim pikësh, por mund të kalojë në përgjysmim pikësh apo me pikët që katër ekipet e para kanë përfunduar sezonin e rregullt pas 36 javësh. Një tjetër opsion është edhe shtimi i ndeshjeve në këtë miniturne dhe gjashtë përballje në total dhe jo tri për çdo klub.

E DREJTA TV – Një tjetër problematikë që duhet zgjidhur është transmetimi i Superiores, Kupës, Superkupës dhe Kategorisë së Parë. FSHF-ja ka ndërprerë kontratën me shoqërinë “Oversport” dhe aktualisht ka hapur garën për të zgjedhur transmetuesin e ri dhe çdo gjë deri tani është në ajër e mesa duket po përsëritet e njëjta situatë si vjet, ku dy ditë para nisjes së kampionatit u mor vesh se ku do të transmetohej..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat