Zhbllokohet mesfushori me origjinë shqiptare i Sampdorias

Futboll

Zhbllokohet mesfushori me origjinë shqiptare i Sampdorias

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 11:59
Pajtim Kasami

Pas një starti shumë negativ në Serie B, Sampdoria e trajnerit Andrea Pirlo ka nisur ta “marrë veten” dhe ndaj Modenës regjistroi suksesin e dytë radhazi.

Dorianët triumfuan në transfertë me shifrat 0-2 teksa një prej golave e shënoi lojtari me origjinë shqiptare, Pajtim Kasami.

Për mesfushorin ishte goli i parë me fanellën e Sampdorias dhe sigurisht lumturia e 31-vjeçarit pas ndeshjes nuk mund të fshihej. Kasami theksoi se skuadra është në ngjitje, ashtu siç edhe ai tashmë ndjehet më mirë dhe në formë.

“Goli është gjithmonë një kënaqësi, hera e parë është gjithmonë e bukur. U zhbllokova më në fund pasi në ndeshjet e kaluara nuk kam mundur t’i shfrytëzoj rastet. Më në fund goli erdhi, aq më tepër që edhe skuadra fitoi.

Fitore e rëndësishme për ambientin dhe frymën e grupit. Tani ndjehem më mirë dhe e di që mund të bëj më shumë, falë fitoreve shtohet besimi. Jemi Sampdoria dhe pak nga pak po shkojmë aty ku na takon”, u shpreh Kasami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat