“Allianz Arena”, tempulli i rekordeve

Futboll

“Allianz Arena”, tempulli i rekordeve

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 21:05
“Allianz Arena”

99 ndeshje janë zhvilluar në “tempullin” e Bajern Mynihut, “Allianz Arena”, që nga 27 shtatori i vitit 2005.

Në këtë hark ndeshjesh, vendësit grumbullojnë 73 fitore dhe një sërë arritjesh “të vyera”, sikurse edhe “dramatike”.

Gjithçka filloi me takimin debutues Bajern-Klub Bryzh, e përfunduar me suksesin minimal të bavarezëve.

Triumfi më i thellë i klubit më të titulluar në Gjermani koincidon me Bazelin dhe Shahtjor Donjetsk, 7- 0.

Në këtë gamë arritjesh ka vend edhe për golin më të shpejtë në turneun e mësipërm. Roi Makai e dërgoi topin në rrjetën e Real Madridit vetëm pas 10.1 sekondash, mars 2007. Aktualisht rezulton 2.7 gola mesatarja e shënimeve si pritës në Champions. Megjithatë, kemi treguar vetëm njërën anë të “medaljes”.

Finalja e 2012 u zhvillua në “Allianz Arena” mes bavarezëve dhe Çelsit. Edhe pse Bajerni shënoi i pari nuk arriti të mbronte rezultatin deri në fund, duke u gjunjëzuar ndaj bluve pas ekzekutimit të 11-metërshave.

Gjithsesi, kjo “dhimbje” mund të “shërohet” në finalen e vitit 2025, pasi UEFA e ka caktuar sërish si mikpritëse të turneut më të rëndësishëm në rang klubesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat