Mehmeti bën apel për kujdes

Futboll

Mehmeti bën apel për kujdes

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 11:24
Mehmeti

Kundërshtari i radhës për Dinamon është Laçi, një ekip që blutë e kanë mundur në fushën e tyre në fazën e parë, por të dielën në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të jetë me siguri një tjetër histori.

Çdo javë ky kampionat sjell lëvizje të shumta në renditje dhe përmbysje situatash. Kurbinasit vijnë nga një humbje në shtëpi ndaj Egnatias dhe do të mundohen të reagojnë. Në kampin dinamovit janë munduar ta përgatisin në mënyrën më të mirë këtë ndeshje, edhe pse disa dëmtime e kanë prishur pak humorin e trajnerit Dritan Mehmeti dhe stafit të tij.

“Po, kemi pasur probleme me disa lojtarë ditët e fundit. Mbrojtësi Mesa ka një problem, Mija u dëmtua me Partizanin, ndërsa Vokrri gjithashtu ka dëmtuar kaviljen. Zabërgja nuk u stërvit me grupin sot (dje). Të shohim deri në momentin e fundit, pasi stafi mjekësor po bën maksimumin për ta pasur ndaj Laçit dhe dua ta falënderoj. Këto janë shqetësimet tona para ndeshjes së radhës, por nuk janë justifikime”, ka thënë Mehmeti për “Panorama Sport”.

I pyetur më pas se çfarë ndeshje pret të dielën dhe për specifikën e kundërshtarit, trajneri i Dinamos ka theksuar se do të ishte gabim i rëndë, nëse Laçi nuk do të merrte vlerësimin që meriton nga të tijtë.

“Është ndeshje e vështirë, pa dyshim. Nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë, do të jetë ndeshje e hapur. Laçi është skuadër me një moshë mesatare të re, por ka edhe lojtarë me eksperiencë, siç janë Ujka apo sulmuesi i tyre kryesor.

Kanë edhe një portier shumë të mirë, ndërsa trajneri Josa pastaj dihet që e njehshumë mirë kampionatin tonë, sepse ka një eksperiencë të gjatë.

Në total janë një skuadër e rrezikshme, me specifikën e vet tëlojës, ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes nga fillimi deri në fund.

Unë do të thosha se do të ishte gabim i madh, nëse nuk evlerësojmë ashtu si duhet Laçin. Pres një ndeshje të fortë, që besoj se do të zgjidhet nga episodet.

Do të doja që Dinamo të tregohet sa më konkrete në rastet që do të krijojë në zonën kundërshtare. Objektivi ynë është vetëm fitorja dhe shpresoj që ta arrijmë, sepse do të na jepte shumë dorë për më tej. Kampionati është i tillë dhe duhet të japësh gjithçka, duke u fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Tani mendojmë vetëm për Laçin, me besimin se do të vazhdojmë me rezultate pozitive”, përfundoi trajneri i skuadrës kryeqytetase për gazetën në prag të sfidës së radhës.

Ndërkohë, sa i përket formacionit, nëse Zabërgja nuk ia del, mund të spostohet Denison djathtas, ndërsa në mesfushë do të luajë Gudiabi titullar. Në krahun e majtë të mbrojtjes do të rikthehet Allmuça.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat