Nica: E ndalim Partizanin, na duhet një sulmues serioz

Futboll

Nica: E ndalim Partizanin, na duhet një sulmues serioz

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 12:15
Nica

Kukësi shpreson të rikthehet te fitorja pas gjashtë ndeshjes radhazi, ku kanë koleksionuar katër barazime dhe dy humbje. Tri pikët e fundit kanë ardhur afro dy muaj më parë në fitoren minimale ndaj Vllaznisë në Kukës.

Edhe pse përballë do të kenë njërin nga ekipet më të forta të këtij sezoni, Partizanin, shpresat në kampin blu për të dalë me maksimumin e mundshëm nuk janë të pakta.

Në ndeshjen e parë verilindorët janë mundur me rezultatin 4-3, por shpresojnë që të ketë një tjetër histori në shtëpinë e tyre, aty ku ndihen më të fortë dhe që kanë marrë mjaftueshëm pikë këtë sezon.

NICA – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Stavri Nica, vlerëson kundërshtarin që kanë përballë, por ka besim te skuadra që ai stërvit. Tekniku kërkon maksimumin nga skuadra e tij në këtë përballje dhe përpos rezultateve jo të mira të javëve të fundit, vlerëson dëshirën dhe përkushtimin që ka skuadra në stërvitje çdo ditë.

“Është një ndeshje delikate, sepse janë edhe dy takimet e fundit, ndaj shpresojmë që ta mbyllim pozitivisht. Vështirësia dihet për këtë ndeshje, sepse Partizani është një nga ekipet më të mira këtë vit në këtë kampionat dhe jo më kot ka pretendime. Ne nga ana jonë do të mundohemi që të marrim më të mirën. Djemtë kanë dëshirë të luajnë dhe shpresojmë të japin maksimumin e tyre në këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit, i cili shpreson te një fitore ndaj të kuqve ditën e sotme.

MERKATO – Luhen edhe dy ndeshjet e fundit dhe më pas hapet merkatoja e dimrit. Në Kukës janë të qartë në atë që kërkojnë, ku nuk mund të përballojnë sezonin me grupin aktual, për më tepër që “firot” rrugës nuk po mungojnë. Nica shpreson të ketë afrime cilësore në të tria repartet, sepse sipas tij, cilësia është ajo që bën diferencën në fushë.

“Të jem i sinqertë, përbërja e skuadrës nuk është aty ku duhet. Duhen marrë masa për në mbrojtje, mesin e fushës dhe një sulmues serioz, që të jetë më rezultativ para portës. Cilësia është ajo që bën diferencën për të shkuar më lart apo më poshtë. Jemi në rrugë të mbarë, kemi nisur bisedimet dhe të shohim tani”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën tekniku i Kukësit, Stavri Nica, i cili e mori drejtimin e skuadrës në një situatë thuajse të pashpresë dhe e futi në garë për realizimin e objektivave.

SITUATA – Pas Atdhe Rashitit, me të cilin në janar do të ndahen rrugët me klubin, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me sulmuesin tjetër, Sebastian la Torre. Peruani vijon të stërvitet në palestër dhe duket se i ka mbyllur rrugët me klubin dhe ka kërkuar që të largohet në merkaton e janarit. Me pak fjalë, për dy sfidat e fundit të këtij viti skuadra mbetet “e zbuluar” në këtë repart, pasi sulmues të mirëfilltë ka vetëm Mario Beshirajn. Sa i përket ndeshjes së sotme, ekipi vuan edhe mungesën e mbrojtësit Vasil Zhongo, për shkak se ka mbushur numrin e kartonëve dhe duhet të bëjë një javë stop.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat