Derbi në Tiranë

Futboll

Derbi në Tiranë

Më: 30 janar 2024 Në ora: 14:28
Foto ilustrim

Ditën e djeshme u mbyll java e 21-të e Superiores dhe tashmë skuadrat kanë kthyer gjithë fokusin te takimet e ardhshme. Java e 22-të e kampionatit do të luhet në fundjavë dhe tifozët do të mbajnë “frymën”.

Gjithçka do të startojë me duelin mes Kukësit dhe Tiranës.

Kjo përballje do të luhet në “Kukës Arena” ditën e shtunë në orën 13:30.

Si verilindorët ashtu edhe bardheblutë vijnë pas humbjeve dramatike respektivisht ndaj Dinamos dhe Skënderbeut. Në Kukës do të synojnë vetëm fitoren për të mos komplikuar më shumë objektivat e tyre.

Në “Arenën e Demave”, Partizani do të presë Egnatian në duelin e “titanëve”, ora 17:00 . Dy ekipet do të përplasin “brirët” për 3 pikët e kësaj jave që janë shumë të rëndësishme edhe për ecurinë e skuadrave. Rrogozhinasit vijnë si kryesues dhe do të tentojnë të ruajnë distancën me demat, ndërsa nga krahu tjetër të kuqtë kanë shansin e artë për të ndalur vrullin e “djemve” të Edlir Tetovës.

Ndërkohë paralelisht do të luhet edhe në Durrës, ku Teuta do të presë Skënderbeun. “Djemtë e Detit” kërkojnë fitoren e cila iu mungon prej 12 javësh në kampionat dhe ndaj korçarëve nuk kanë rrugë tjetër veçse 3 pikëve. Nga krahu tjetër “Ujqërit e Dëborës” pas fitores spektakolare me Tiranën tashmë do të synojnë edhe “kokën” e durrsakëve në “Niko Dovana”.

Ditën e dielë do të luhen dy sfidat e tjera të kësaj jave. Do të luhet në “Egnatia Arena”  një tjetër duel mjaft interesant. Erzeni pret Dinamon në orën 13:30, me shijakasit pas 3 ndeshjeve pa rezultate pozitive do të kërkojë medoemos fitoren, ndërsa nga krahu tjetër “blutë” pas fitores spektakolare me Kukësin, tenton një tjetër triumf që do e afronte më afër “Final – Four”.

Ndeshja e fundit është mes Laçit dhe Vllaznisë, takim që do të luhet në Laç në orën 13:30. Një duel interesant mes kurbinasve dhe shkodranëve. Bardhezinjtë dhe kuqeblutë vijnë pas barazimeve dhe në duelin mes tyre do të tentojnë vetëm fitoren. “Djemtë” e Qatip Osmanit e duan për të “blinduar” një vend në “Final – Four”, ndërsa skuadra e Mirel Josa kërkon 3 pikët për të tentuar “top-4”-shen.

Ndeshjet e javës së 22-të:

E shtunë:

Kukësi – Tirana ora 13:30

Partizani – Egnatia ora 17:00

Teuta – Skënderbeu ora 17:00

E dielë:

Erzeni – Dinamo ora 13:30

Laçi – Vllaznia ora 13:30

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat