Nis punën Kombëtarja U16, synohet krijimi i një gjenerate sa më të mirë  

Futboll

Nis punën Kombëtarja U16, synohet krijimi i një gjenerate sa më të mirë  

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 22:36
Ekipin Kombëtar U16

Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të talenteve për ekipet kombëtare, duke krijuar edhe ekipin Kombëtar U16, nën përkujdesjen e trajnerëve të shquar të gjeneratave të reja, Mehmet Kurda, Ibrahim Domi, Fadil Ademi dhe Burim Sadiku.

E pikërisht sot ka nisur edhe puna në terren e Kombëtares U16, ku janë ftuar 20 futbollistë nga kampionati vendor, e të cilët më herët kanë qenë pjesë e ekipit kombëtar U15.

Drejtuesit e stafit teknik janë të angazhuar që të identifikojnë dhe zhvillojnë potencialin e këtyre lojtarëve të rinj, por edhe lojtarëve tjerë të kësaj grupmoshe në javët dhe muajt në vazhdim, duke përfshirë edhe lojtarë që luajnë jashtë vendit.

Grumbullimi i parë ka sjellë një fond të pasur të lojtarëve, duke përfshirë sulmues të shkëlqyeshëm, mesfushorë të shpejtë dhe mbrojtës të spikatur.

Trajneri Mehmet Kurda ka shprehur bindjen se ky grup ka potencialin për të krijuar një harmoni të fuqishme dhe një dëshirë të theksuar për të përparuar dhe për t’i shërbyer me krenari kombëtares.

Ai ka thënë se qëllimi i formimit të Kombëtares U16 është të krijimi i një bazë të fortë talentesh për të ardhmen dhe të sigurojë që Kombëtarja U17 të ketë lojtarë cilësorë e me përvojë në kualifikimet e ardhshme.

Kombëtarja U16 prej 1 mars deri më 7 mars do të marrë pjesë në turneun zhvillimor të UEFA-s në Tiranë, prandaj stafi teknik synon që çdo javë të ketë nga një grumbullim në Kampin Nacional në Hajvali, në mënyrë që ekipi të përgatitet sa më mirë për këtë aktivitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat