Udhëton drejt Turqisë për të takuar kuqezinjtë. Vëmendjen e merr edhe Manaj

Futboll

Udhëton drejt Turqisë për të takuar kuqezinjtë. Vëmendjen e merr edhe Manaj

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 15:27
Silvinho

Prej ditësh trajneri i Kombëtares shqiptare, bashkë me stafin e tij ka nisur një tur në Europë për të ndjekur nga afër të gjithë lojtarët shqiptarë.

Pas, Gjermanisë dhe Italisë, Silvinjo ka udhëtuar drejt Turqisë, për të takuar futbollistët që aktivizohen në këtë shtet. Patjetër që vëmendjen më të madhe e ka marrë Rei Manaj i cili nuk ishte pjesë e ekipit në kualifikueset e Europianit, por tashmë po kalon një formë fantastike duke shënuar 11 gola në kampionat dhe 4 në Kupë deri tani me Sivasporin.

Manaj ka luajtur ndeshjen e fundit me Kombëtaren në mars të 2022-it, rreth dy vite më parë, në miqësoret kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë. Gjithsesi, në kampionatin turk aktivizohet edhe Sokol Cikalleshi, autor i 8 golave me Koniasporin në kampionat dhe një pjesë shumë e rëndësishme e sulmit të Kombëtares.

Po ashtu edhe Frederik Veseli luan në këtë kampionat, ku është pjesë e Karagumruk. Ndërkohë, dy lojtarë që do të vlerësohen nga trajneri brazilian janë edhe Endri Çekiçi me Odise Roshin.

Pogradecari luan për Pendiksporin këtë sezon dhe po lufton për vendin e titullarit. Sa i përket Odise Roshit, ditët e fundit, fieraku ka “ndezur motorët” dhe ka shënuar edhe gol fitoreje për ekipin e tij Sakarjaspor në ligën e parë turke.

Gjithashtu, Roshi ka asistuar edhe për shokët e ekipit, paraqitje këto që e kanë nxjerrë dy herë radhazi në formacionin më të mirë të javës. Turet e Silvinjos janë në kuadrin e takimeve miqësore që ekipi përfaqësues do të zhvillojë në mars, ku me shumë mundësi do të ketë edhe emra të rinj në listë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat