Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

Futboll

Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 23:40
Alonso e Xhaka

Bayer Leverkusen do të presë Bayern Munich këtë fundjavë, në sfidën e javës së 21-të në Bundesliga, në një ndeshje që vlen më shumë se 90 minuta.

Për kryesuesit e kampionatit gjerman kjo do të jetë një provë e rëndësishme drejt misionit, titull.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Xabi Alonso theksoi se skuadra e tij është gati dhe ai beson te një rezultat pozitiv.

“Të shtunën ne kemi mundësinë të përjetojmë një atmosferë unike në stadium.

Është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe po e shijojmë këtë moment.

Ndaj Bayern-it nuk duhet të mendojmë për klasifikimin, sepse do ndikonte për keq. Na duhet një ndeshje perfekte sepse kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, të gjithë e dimë këtë.

Titulli? Unë dua që skuadra të luajë lojën e saj, besojmë te një rezultat pozitiv, por personalisht nuk mendoj se kjo sfidë vendos titullin sepse ka ende ndeshje përpara.

Patjetër që është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo totalisht vendimtare” – tha fillimisht spanjolli.

Sa i përket skuadrës dhe mungesave, Alonso theksoi se kjo është një ndeshje ku çdo lojtarë e di mirë rëndësinë dhe kushdo që do të luajë do të japë maksimumin.

“Në një sezon ti nuk e ke kurrë skuadrën e plotë, ky është futbolli. Boniface dhe Arthur mungojnë, ndërsa për Palacios besoj se është shumë shpejt. Nuk do të rrezikojmë me asnjë lojtar, sezoni është i gjatë, e theksova”-vijoi ai.

Në fund, Alonso vlerësoi maksimalisht edhe Granit Xhakën, ndërsa kishte një mesazh edhe për tifozët.

“Graniti është jashtëzakonisht i fortë si fizikisht dhe mendërisht, shumë konkurrues, i jep një kuptim të jashtëzakonshëm lojës dhe ka një ndikim të madh te e gjithë skuadra. Ai komunikon shumë dhe shokët e tij i besojnë atij. Ne po përfitojmë shumë prej tij. Është thjesht një kënaqësi të punosh me lojtarë si Graniti.

Tifozët? Ne kemi një lidhje të veçantë me tifozët dhe unë besoj se ata do të jenë motivimi ynë më i madh. Shpresoj të jenë të gjithë aty dhe ne t’i bëjmë të lumtur” – përfundoi Xabi Alonso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat