Ramos kthehet si kundërshtar në “Bernabeu”: Po shënova, nuk festoj

Futboll

Ramos kthehet si kundërshtar në “Bernabeu”: Po shënova, nuk festoj

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 10:58
Ramos

1 marsi i vitit 2020 ishte dita e “Klasikes”. Reali i Madridit mundi Barcelonën 2-0, me golat e Vinicius dhe Mariano në një “Santiago Bernabeu” të mbushur plot.

Ishin ditë kur fjala pandemi kërcënonte atë që do të vinte në vetëm një javë. Ishte ndeshja e fundit përpara se virusi vdekjeprurës të ndalonte gjithçka, përfshirë futbollin.

Askush nuk mund ta imagjinonte se ishte ndeshja e fundit e Sergio Ramos në “tempullin” e Real Madridit, në stadiumin që e bëri atë një idhull absolut dhe ku ai festoi dhjetëra tituj, përfshirë katër tituj të Champions League.

Më 22 maj të vitit 2021 veshi për herë të fundit fanellën e bardhë. Ishte ndaj Villarrealit, në Valdebebas, edhe pse nuk luajti asnjë minutë. Madridi mund të ishte kampion i Ligës atë pasdite, megjithëse në fund Atlético nuk dështoi në Valladolid.

Të enjten, më 17 qershor, Sergio Ramos u rikthye te Valdebebas. Për t'i dhënë fund 16 viteve si lojtar i Real Madridit duke mos arritur një marrëveshje për rinovim.

Sot, Sergio do të luajë sërish në “Bernabeun” e tij. Ai do ta bëjë këtë me fanellën e Sevillas. Kjo do të jetë hera e parë në karrierë që mbrojtësi veteran do të luajë si kundërshtar në “Bernabeu”, aty ku shkroi historinë e Realit për 16 vite me radhë.

“Kam shumë respekt për tifozët dhe për Real Madridin. Nëse shënoj, nuk do të festoj, por nëse kam fatin të shënoj dhe ai gol mjafton për të fituar, do të jem i kënaqur sepse ata tre pikët do të jenë shumë të dobishme. Do të ndihem si në shtëpinë time sepse kam kaluar shumë vite atje, momentet më të rëndësishme të karrierës sime, kam kujtime të mrekullueshme nga tifozët dhe shokët e mi. Do të jetë unike dhe emocionuese", ka thënë Ramos në prag të kësaj sfide.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat