Mehmeti: Sot mund të kemi humbur 2 pikë

Futboll

Mehmeti: Sot mund të kemi humbur 2 pikë

Më: 7 prill 2024 Në ora: 19:50
Dritan Mehmeti - majtas

Kukësi dhe Dinamon kanë mbyllur ndeshjen mes tyre, e vlefshme për javën e 30-të të “Abissnet Superiore”.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Kukës Arena”, përfundoi në barazim 1-1.

Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV ka folur trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.

“Normalisht ne e dinim forcën e Kukësit sepse ka bërë mirë 3-4 javët e fundit dhe vinin me entuziasëm duke ditur që ka bërë mirë edhe në kupë. Lojtarët duhet të përshtateshin më shpejt me terrenin. Edhe pse i porosita lojtarët, mos të mbanin topin në zona të rrezikshme… Ne i dhamë mundësi kundërshtarit me gabimet tona. Përsa i përket pjesës së dytë, kemi patur shumë raste që duhet të ishim shumë të qetë para portës. Edhe te goli i dhamë iniciativë kundërshtarit. Megjithatë kjo është lojë gabimesh dhe normalisht duhet të jemi më të kujdesshëm pasi janë situatat që zgjidhin ndeshjet”, u shpreh fillimisht Mehmeti.

Porositë që kishin dhënë dhe moszbatimi i tyre, ju mërzit?

“Normalisht kur i porosit lojtarët dhe ata nuk përmirësohen të vjen keq. Kukësi na ka rrezikuar nga mospozicionimet tona, si në rastin e golit. Behiratche duhet të vepronte ndryshe. Janë gabime individuale dhe duhet të përmirësohemi patjetër. Është kampionati që nuk na i lejon, pasi mund të kemi humbur edhe 2 pikë sot”.

I përmbushi pritshmëritë krahu i majtë?

“Lorran ishte lojtari më i rrëzikshëm, duke i marrë kohën Salamit. Normalisht duke patur parasysh, duhet të kërkonim më shumë me Vilën ose Denissonin. S’duhet të vinte me mbivendosje Lorran, duke ditur që Salami është i shpejtë. Lorran ka bërë një ndeshje të mirë. Kështu e kisha përgatitur skuadrën. Ne i kishim mundësitë dhe rastet”.

A mungon se mungesat e rëndësishme që patët sot të detyruan të mos hidheni në lojë sulmuese?

“Normalisht edhe pjesa që zëvendësoi lojtarët që mungonin, më pëlqyen. Terreni nuk na lejonte shumë për mënyrën sesi ne e shprehim filozofinë. Isha në pritje për të rinisur me Patrik Bardhin, duke zbritur Denisson në linjat e mesfushës. Pas golit, Kukësi zbriti poshtë me bllok të ulët dhe duhet të kërkonim më shumë ekuilibër”.

Disa prej lojtarëve dolën nga detyrat që ju kishit ngarkuar?

“Jo nuk kanë dalë nga detyrat. Por na e kushtëzoi kundërshtari me topat e gjatë në thellësi. Na e vështirësonte duke patur agresivitet në linjat e mesfushës. Sidomos në pjesën e dytë ne kemi patur mundësi për t’i ndëshkuar. Si me Denisson apo Patrik Bardhin ne mund të shënonim. Megjithatë, e kërkuam fitoren në mënyrën e drejtë dhe jam i kënaqur me çunat.

Keni lënë dy pikë?

“Duke patur parasysh çfarë ndodhi në 90 minuta, para se Kukësi të shënonte ne kishim raste më të pastra. Por goli i Kukësit na vuri nën presion. Pastaj barazuam dhe kërkuam që të shënonim. Duhet të ishim më të qetë para portës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat