Austriakët në Elbasan vetëm për fitore

Futboll

Austriakët në Elbasan vetëm për fitore

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 19:01
Oscar Garcia

Salzburg zbarkoi në “Elbasan Arena” me objektivin për të hedhur një hap drejt kualifikimit që në ndeshjen e parë ndaj Partizanit. Humbja në fundjavë në kampionat dhe mungesat e shumta, mes të cilave ato të Yabo, Previjak, Sorensen, Leitgeb dhe Miranës, megjithatë nuk e shqetësojnë trajnerin Oscar Garcia që në sallën e konferencave u shpreh i bindur për një sukses të të tijve. “Kemi disa mungesa të rëndësishme për këtë sfidë por gjithsesi besojmë se mund ta kalojmë më sukses këtë përballje. Këtu kemi ardhur për të fituar, pasi unë gjithmonë e përgatis skuadrën për fitore dhe asnjëherë për barazim. Do të kërkojmë të mbyllim që në ndeshjen e parë çështjen e kualifikimit, pavarësisht se nuk jemi në formën tonë më të mirë”. Sa i përket njohurive për Partizanin, Garcia u shpreh se ka studiuar me detaje ndeshjet e të kuqve ndaj Ferencvarosit. “Kemi analizuar deri në detaje cdo lojtar të kundërshtarit, e kemi bërë bashkë me gjithë ekipin teksa kemi ndjekur të dyja ndeshjet që Partizani ka bërë me Ferencvaroshin. E respektojmë si kundërshtar por nëse luajmë mirë besoj se do të arrijmë të marrim rezultat. Për ne nuk ka shumë rëndësi nëse luajmë jashtë apo brenda pasi gjithmonë përpiqemi të diktojmë ritmin dhe të fitojmë dhe këtë do të kërkojmë të bëjmë dhe në “Elbasan Arena”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat