Largohet apo jo?

Futboll

Largohet apo jo?

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 18:04
Pierre-Emerick Aubameyang

Klubi i Borussia Dortmund ka besim të plotë se sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang do të qëndrojë te skuadra gjermane, ku ka një kontratë deri në vitin 2020, pavarësisht nga ofertat e Manchester City dhe dëshirës së trajnerit Pep Guardiola për të punuar me sulmuesin nga Gaboni në “Etihad Sadium”. Dy klubet, që do të luajnë në “International Champions Cup” në Kinë, do të kenë një takim, por nuk do të flitet për të ardhmen e 27-vjeçarit, i cili është larguar nga pika e grumbullimit të Borussia Dortmund për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij që pritet të lindë një djalë këto ditë. “Aktualisht Aubameyang është një futbollist i yni dhe do të qëndrojë te ne, – deklaroi Thomas Tuchel. – Unë kam besim të plotë se ai do të qëndrojë. Ai është një personalitet për ekipin tonë. Edhe në sezonin e ardhshëm do të jetë me ne, ndërsa për të ardhmen nuk e di, nuk mund ta parashikoj.” Sulmuesi nga Gaboni shënoi 25 gola në edicionin e kaluar të Bundesliga, ku u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Gjatë një interviste të lëshuar pak ditë më parë, Pierre-Emerick Aubameyang deklaroi publikisht se do të largohet nga Dortmund, vetëm nëse i vjen një ofertë nga Real Madrid.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat