Ramadani: Në Austri shkojmë për fitore

Futboll

Ramadani: Në Austri shkojmë për fitore

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 30 korrik 2016 Në ora: 01:47
Ylber Ramadani në aksion

Partizani nga Tirana po përgatitet për ndeshjen e kthimit kundër Salzburgut nga Austria. Nënkampioni shqiptar e pret një super sfidë, por shpresojnë se do t'i revanshohen kampionit austriak për humbjen në  Elbasan me rezultat 1:0. Futbollisti i Partizanit, Ylber Ramadani, ndryshe është nga Kosova, shprehet optimist para sfidës që luhet të mërkurën (me 3 gusht) në orën 20.30, e vlefshme e rrethit të tretë eliminator të Champions League.  Në faqen e  facebookut të Partizanit është postuar deklarata e Ramadanit. "Ndaj Salzburg kemi bërë një ndër ndeshjet më të mira duke përfshirë edhe gjithë sezonin e kaluar. Jemi përballur denjësisht me një ekip që ka miliona dhe buxhet super të fuqishëm dhe kemi dominuar. Humbja erdhi si rezultat i një episodi, por për mendimin tim ka të bëjë eksperienca. Të mos harrojmë se po flasim për një ekip që është kampion absolut i Austrisë dhe ka krijuar identitetin e tij edhe në Europë. Për ndeshjen e kthimit kemi besim se mund t’ia dalim. Ndeshja e fituar në Hungari na ka bërë që të besojmë deri në fund. Mund të shënojmë dhe të tentojmë për më tepër. Asgjë nuk është e pamundur për skuadrën tonë, pasi kemi besim. Qëndrojmë me këmbë në tokë dhe e dimë se janë shumë më lart, por nuk na stepin aspak austriakët. Kemi ndërtuar një ekip që tremb çdo kundërshtar. Nuk i trembem konkurrencës, pasi unë bëj punën dhe detyrën time. Do mundohem të jap maksimumin gjithmonë dhe në bazë të kësaj ti’a dal mbanë. Do jap maksimumin për Partizanin dhe do të jem gjithmonë i gatshëm për skuadrën dhe trajnerin kur të ketë nevojë. Skuadra është në formë dhe kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë takim. Do mundohemi të bëjmë maksimumin për këtë ndeshje dhe jam i sigurt se do ja dalim", tha Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat