Baliqi: Do t’i bëjmë ballë ekipeve të forta

Futboll

Baliqi: Do t’i bëjmë ballë ekipeve të forta

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 15 gusht 2016 Në ora: 15:58
Emin Baliqi gjatë një veprimi Mitrovica

Në fundjavë fillon edicioni i ri në elitën e futbollit, ndërsa pothuajse të gjitha skuadrat janë përgatitur maksimalisht dhe secila me bindje se do të startojë sa më mirë. Trepça nga Mitrovica, skuadër me renome, pas një viti është rikthyer në Raiffeisen Superligë, synon paraqitje sa më të mirë dhe madje të nisin edhe me këmbë të mbarë, e cila në hapje ndeshet me Dritën nga Gjilani. Futbollisti më përvojë, Emin Baliqi, u shpreh se nuk kanë ndonjë potencial të madh të lojtarëve. “Të them të drejtën, pas një viti shumë të vështirë ne veç e radhitemi veten në mesin e ekipeve të Superligës, tash veten e shohim si një ekip i ri aty, duke i parë investimet e tjerëve. Në shikim të parë dukemi autsajder, por i mbetet të shihet në fushë, nuk kemi ndonjë potencial të madh, megjithatë shpresoj se jemi të bashkuar si grup. Do t’i bëjmë ballë ekipeve të forta, përndryshe do të jetë e vështirë”, tha Baliqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se Trepça do të luaj rol të madh dhe mund të jetë në luftë për titull, megjithëse thoni se ekipin e llogaritni nga mesi i renditjes? “Jo, në luftë për titull janë synime jo reale, por kërkojmë mbijetesën, është një gjë e mirë”, theksoi futbollisti  i cili është i kënaqur me kushtet. “Kemi kombinim të lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj, janë disa lojtarë të rinj që presin me shpërthye në Superligë, ku mendoj se do të dëgjohet emri i tyre. Kushtet janë të mira për stërvitje e optimale”, thotë Baliqi. A mendoni se do të ketë ngritje në përgjithësi të futbollit? “Sigurisht se po, sepse po shihet një angazhim i të gjithëve”, përgjigjet Baliqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat