Bekim Balaj, goli i parë te Terek Grozni

Futboll

Bekim Balaj, goli i parë te Terek Grozni

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 00:07
Bekim Balaj

Bekim Balaj gjen golin e parë në Premierligën ruse. Sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen ku Terek Grozni fitoi me shifrat 3-1 në fushën e Ufa-s. Kuqeziu u aktivizua si titullar, ndërsa në minutën e 48-të arriti të zhbllokonte sfidën, pas asistit të Ivanov.

Megjithë avantazhin, Terek nuk arriti ta mbronte rezultatin dhe Ufa arriti të barazonte shifrat në të 75-ën me Fatai. Kjo bëri që tekniku i çeçenëve, Rakhimov të mendonte për të freskuar ekipin dhe në minutën e 79-të Balaj i la vendin në fushë Sadaev. Ishte pikërisht ku lojtar që në çastet e fundit të sfidës realizoi golin e dytë për miqtë, ndërsa në të 90-tën çeçenët trefishuan me Grozav.

Zëvendësimi nuk e zbehu festën e sulmuesit shkodran, që realizoi golin e parë në radhët e Terek Groznit, pas tre sfidave të luajtura. Me fitoren e regjistruar, ekipi nga Çeçenia ngjitet në kuotën e 7 pikëve në katër javët e para të Premierligës ruse.

Ndërkohë, në radhët e Terekut nuk u aktivizua Odise Roshi, edhe pse ishte titullar një javë më parë, përballë Lokomotivës së Moskës. Por, ajo që shkaktoi më tepër habi ishte fakti se ndërsa skuadra ishte e impenjuar në fushën e lojës, mesfushori fierak postoi në faqen zyrtare në “instagram” një fotografi ku shëtiste mbi një gomar. Në diçiturën e fotos me kafshën, Roshi shkruante: “Ka lezet edhe kështu ndonjëherë, me gomar dhe këpucët me baltë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat