Tirana siguron se Kavdanski është paguar!

Futboll

Tirana siguron se Kavdanski është paguar!

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 00:14
Kavdanski

Tirana qetëson tifozët në prag të sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Ankthi i shkaktuar rreth zërave se klubi rrezikonte të mos lejohej të federonte lojtarë të rinj, prej pagesës së prapambetur ndaj Martin Kavdanskit, u largua nga deklarata e bardhebluve. Nëpërmjet faqes zyrtare, 24-herë kampionët sqaronin se “asnjë rrezik nuk i kanoset të tashmes ose të ardhmes së klubit”.

“Pagesa ndaj futbollistit Martin Kavdanski është likuiduar në kohë. Detyrimi financiar ndaj futbollistit bullgar ka qenë vetëm 5 mijë euro, shifër e cila është derdhur në llogarine e tij bankare, e më pas është bërë edhe njoftimi përkatës pranë FIFA-s dhe Federates Shqiptare të Futbollit”, thuhej në qendrimin e klubit.

Kavdanski luajti vetëm katër ndeshje në radhët e Tiranës, në gjysmën e parë të sezonit të kaluar, ku debutoi më 1 Nëntor 2015 përballë Kukësit, ndërsa ishte titullar vetëm në sfidat ndaj Bylisit dhe Teutës.

Me pretendimet e lojtarit që gjetën mbështetjen e FIFA-s, kryeqytetasit shlyen detyrimin që vinte nga kontrata me mbrojtësin bullgar. 5 mijë eurot e paguara nga klubi mbeten një shifrër modeste, kur mendon se deri më tani Tirana ka shlyer mbi 200 mijë euro detyrime të mbartura, për të evituar penalizimin e skuadrës.

Rreth çështjes së borxheve të shlyera, pasi ftoi tifozët të presin me optimizëm sezonin e ri, drejtuesit e Tiranës njoftuan se në ditët në vazhdim do të publikojnë të gjitha çështjet e pagesave që janë zgjidhur, në mënyrë që skuadra të vijojë normalisht punën për startin e kampionatit, me Tiranën që e nis sezonin me sfidën në Durrës përballë Teutës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat