Arifaj: Do ta kalojmë krizën

Futboll

Arifaj: Do ta kalojmë krizën

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 10:19
Granit Arifaj

Në tri ndeshjet e fundit Drenica nga Skenderaj ka fituar vetëm një pikë në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Drenicasit startuan fuqishëm, ku në dy javët e para arkëtuan plotë gjashtë pikë, por në tri të fundit ngecën në aspektin e rezultateve pozitive. Pas fitores ndaj Lirisë me rezultat 2:1, pastaj si mysafir me 1:0 kundër Hajvalisë, gjërat nuk shkuan më sipas planit. Drenica si vendas barazoi 1:1 me Besën, ndërsa si mysafir pësoi me 2:0 nga Gjilani dhe si vendas mundet me 2:1 nga kampioni në fuqi, Feronikeli. Sulmuesi i skuadrës drenicase, Granit Arifaj, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se startin e patën të mirë, por në tri javët tjera kishin kundërshtarë shumë të fortë. “Në fillim ishte shumë mirë dhe fituam dy ndeshjet e para, me pas kishim kundërshtarë shumë të fortë dhe patëm edhe ngecje në rezultate, me këtë rast nga tri ndeshje fituam vetëm një pikë”, tha Arifaj.  Humbja nga Feronikeli më shumë ishte si fat sportiv apo mos koncentrim? “Para ndeshjes e kemi ditur që do të kemi përball ekip shumë të fortë, edhe ashtu na doli. Në fillim shënuam, por me disa gabime tona pësuam dy herë”, përgjigjet Arifaj. Megjithatë sulmuesi i skuadrës kuqezi beson se gradualisht do të kthehen në zinxhirin e fitoreve në javët e ardhshme. Ai e pranon se është një krizë e vogël e rezultateve. “Mendoj që është një krizë e vogël, pasi lojën e kemi bërë shumë të mirë, ndërsa rezultatin jo. Por në këto tri ndeshje mendoj se kishim kundërshtarë të fortë, por besoj që do të kalojmë këtë krizë dhe do të vazhdojmë me rezultate pozitive”, shprehet optimist sulmuesi. Në fundjavë Drenica do të luajë si mysafir i Ferizajt, kjo e fundit ka 4 humbje rresht, megjithatë, Arifaj shpreson të kthehen të pamposhtur: “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, pasi Ferizaj ka ekip të mirë dhe luan si vendas, por ne do të udhëtojmë për fitore dhe të fillojmë me rezultate pozitive”.  Çfarë i mungon Drenicës? “Mendoj që fati po na mungon në disa takime, sepse kemi luajtur shumë mirë, por fati ishte ai që mungon në disa raste. Megjithatë, besoj që ne do të jem lart në tabelë, pasi kemi ekip shumë të mirë dhe në ndeshjet e fundit ishim në mungesë të disa lojtarëve shumë të mirë,  kështu që kjo u vërejt dukshëm në ndeshjet e fundit. Prandaj, shpresoj që ata të kthehen sa më shpejtë dhe të jemi më të kompletuar”, ka thënë ai. A mendoni se sulmuesit nuk e kanë ditën e tyre? “Po, në ndeshjet e fundit sulmuesit tanë nuk janë shumë efikas, por tek ne nuk varet veç nga sulmi, pasi shënojnë edhe mesfushorët e mbrojtësit”, thotë Arifaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat