Kukësi ankesë zyrtare për gjyqtarin Koçi

Futboll

Kukësi ankesë zyrtare për gjyqtarin Koçi

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 00:27
Kukësi Laçi

Vetëm pak orë pas barazimit 0-0 në fushën e Laçit, klubi i Kukësi doli me një reagim zyrtar, duke akuzuar gjyqtarin Andi Koçi, për ndikim në mbarëvajtjen e ndeshjes dhe në rezultatin final.

Një dosje e përgatitur në kohë rekord, për të gjitha episodet e diskutueshme të ndodhura në stadiumin e Laçit, me arbitrimin që është cilësuar “skandaloz dhe tendencioz”.

Episodi më i kontestuar i klubit veri-lindor ishte pretendimi për 11-metërsh me Pero Pejiç në minutën e 28-të të sfidës, duke e krahasuar frenimin e sulmuesit si një ndërhyrje që edhe në mundje do të përbënte parregullsi.

Një tjetër moment i kontestuar nga Kukësi është edhe ndërhyrja brutale e sulmuesit të Laçit, Bruno Aquino ndaj Edon Hasanit, me brazilianin që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë, ndërsa gjyqtari Koçi akuzohet se i toleroi futbollistët vendas në të paktën 5 ndërhyrje të tjera.

Episodi tjetër i listuar në dosjen kundër gjykimit është edhe goditja e sulmuesit Lukas Rangel nga tifozët dhe sendet e hedhura në fushë, ndaj të cilave gjyqtri nuk mori asnjë masë.

Për të gjitha këto, klubi veri-lindor njoftoi se do të depozitojë në Federatën Shqiptare të Futbollit të gjitha ankesat ndaj arbitrit Andi Koçi dhe pret dënim maksimal për “xhaketën e zezë”, që akuzohet se “ndikoi në mohimin e fitores së Kukësit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat