Atmosferë në Skenderaj, dramë deri në fund, fiton ’89-shi

Futboll

Atmosferë në Skenderaj, dramë deri në fund, fiton ’89-shi

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2016 Në ora: 16:54
Pamje nga një ndeshje

Trepça ’89 triumfoi në një ndeshje dramatike me rezultat 3:2 ndaj Drenicës. Skuadra nga Skenderaj pësoi në konak të vetin në ndeshjen e  javës së shtatë të elitës së futbollit të Kosovës. Në një atmosferë të mirë sportive, ndeshje dramatike dhe shikuesit u kënaqën me rivalitetin që treguan ekipet në fushë e me pesë gola të shënuara.  Faktikisht ishte një ndeshje me kthesa të mëdha në rezultat. Drenica avancoi dy herë, por pësoi. Në minutën e 8-të, Trepça ’89 kalon në epërsi. Një veprim i mirë i mitrovicasve, kur kapiteni Shpëtim idrizi asistoi deri te Oto John dhe ky i fundit tundi portën e vendasve.  Skenderajasit nuk demoralizohen, por përmbysin epërsinë e rivalit. Në minutën e 42-të,  sulmuesi Granit Arifaj barazoi rezultatin, kurse mysafirët protestojnë se ishte në pozitë jashtë loje.  Se Granit Arifaj është në formë të jashtëzakonshme e dëshmoi edhe në këtë përballje. Ai në minutën e 51-të shënoi për epërsinë 2:1 te Drenicës falë asistimit të Përparim Islamit. Arifaj brenda dy jave shënoi pesë gola, dy në takim me ’89-shin e tri ndaj Ferizajt.  Trepça ’89 luajti mjaft mirë, pati raste dhe ia doli ta përmbys epërsinë e vendasve.  Në minutën e 80-të, Fiton Hajdari shënoi për barazimin 2:2 dhe pas tetë minuta i njëjti futbollist realizoi gol të bukur nga rreth 25 metra për fitoren 2:3 të mitrovicasve. Trepça ’89  rreshton fitoren e katërt dhe sërish merr kryesimin me 18 pikë, ka një ndeshje më shumë se Prishtina në pozitën e dytë me 16 sosh dhe Drenica bie në vend të 7-të me 10 pikë. Në javën e 8-të, Trepça ’89 pret Hajvalinë dhe Drenica luan ndaj Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat