Valencia mendon Prandellin për stolin

Futboll

Valencia mendon Prandellin për stolin

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 17:42
Cesare Prandelli

Valencia duket se ka vendosur ti besojë stolin Cesare Prandelli-t. E përditshmja spanjolle, Marca zbuloi një darkë sekrete ndërmjet teknikut italian dhe drejtorit sportiv të klubit, Jesus Garcia Pitarch.

Sipas gazetës, pikërisht në këtë takim, palët arritën edhe një pjesë të marrëveshjes. Natyrisht që bisedimet e përfaqësuesit të Valencias janë autorizuar nga pronari i klubit, Peter Lim, që ka vendosur t’ia besojë projektin ish-teknikut të Kombëtares italiane.

Starti i sezonit për skuadrën ka qenë zhgënjyes, me katër humbje në katër javët e para. Valencia dha shenja ringritje, duke fituar dy ndeshje radhazi në kampionatin spanjoll, të cilat e larguan nga vendi i fundit në renditje.

Megjithatë, Marca thekson se dy sukseset e arritura nuk kanë shërbyer për të ndryshuar mendimin e drejtuesve të klubit rreth trajnerit aktual, Marco, i cili duket në prag të shkarkimit nga detyra.

Këtë e konfirmojnë negociatat me Cesare Prandellin dhe akordi parimor i arritur në disa pika, siç janë kontrata 1-vjeçare e pretenduar nga trajneri italian me opsionin për të rinovuar edhe për një sezon.

Të tjera kushte të vendosura nga drejtuesi i stolit janë edhe emërimi në skuadër i të gjithë stafit të tij, përpos garancive për investime të rëndësishme në ekip, prej merkatos së Janarit.

Së afërmi pritet edhe një tjetër takim ndërmjet Valencias dhe Prandellit, me trajnerin që këtë herë do të udhëtojë drejt Spanjës, ndoshta për të firmosur kontratën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat