Rregullohet bilanci, Interi eviton ndëshkimin nga UEFA

Futboll

Rregullohet bilanci, Interi eviton ndëshkimin nga UEFA

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 18:31
ilustrim

Interi përmirëson bilancin dhe eviton penalizimin nga UEFA në zbatim të rregullave të “fair play-t financiar”. Asambleja e aksionerëve miratoi financat e klubit, me zikaltërit që kanë bërë hapa përpara përsa i takojnë shifrave në krahasim me sezonet e kaluara.

Nga afro 141 milionë euro humbje të vitit të kaluar, tashmë bilanci negativ i Interit ka shkuar në 50 deri në 60 milionë euro. Një përmirësim i situatës, që pavarësisht investimeve në merkato dhe strukturave të klubit, pritet të vazhdojë, në synimin për të arritur objektivin e 30 milionë eurove humbje dhe të largojë përfundimisht rrezikun e sanksioneve nga UEFA.

Plani 5-vjeçar financiar i hartuar nga pronarët e rinj të klubit, ka nisur të japë efektet e para pozitive. E gjitha për meritë të Thohir e Bolingbroke, që sollën kapitale financiare dhe burime të reja për të investuar në projektin e Interit.

Vetëm në harkun e një viti, Interi është kthyer në rrugën e duhur, për të qenë komform rregullave të vendosura nga UEFA, për të evituar të tjera gjoba financiare. Nëse humbjet mbeten në kuotën e 30 milionë eurove, zikaltërit nuk do të penalizohen me 7 milionë euro dhe mund të synojnë të barazojnë bilancin deri më datë 30 Qershor.

Një objektiv ambicioz, por jo i pamundur të realizohet, pasi në sezonin 2016-2017 do të përfshihen edhe përfitimet nga Europa League dhe të ardhurat gjithmonë në rritje. Në klubin zikaltër parashikojnë që të ardhurat deri në fund të këtij edicioni mund të kalojnë kuotën e 200 milionë eurove.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat