Mustedanagiç: Grupi më i vështirë, por nuk trembemi

Futboll

Mustedanagiç: Grupi më i vështirë, por nuk trembemi

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 22:49
Mustedanagiç

Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve ka nisur përgatitjet për kualifikueset e Europianit 2017 të kësaj grupmoshe. Me turneun që do të zhvillohet nga data 26 deri më 31 Tetor, kuqezinjtë kanë si kundërshtarë në grup Italinë, Serbinë dhe Maqedoninë. Një grup, që edhe sipas trajnerit Xhemal Mustedanagiç është tejet i vështirë.

“Për të thënë të vërtetën, fatkeqësisht ky është grupi më i fort me të cilin do të përballem në karrierën time, duke llogaritur periudhën kur punoja në Kroaci dhe këto 8 vite që jam në Shqipëri. Ashtu si Kombëtarja A ka një grup të vështirë, e megjithatë po lufton, ashtu do të luftojë edhe Kombëtarja e 17-vjeçarëve që të arrijë rezultate sa më të mira. Unë besoj.”

Trajneri analizoi kundërshtarët, duke theksuar se pavarësisht vështirësive që ata paraqesin, Shqipëria nuk do ti ndryshojë karakteristikat e lojës.

“Skuadrën italiane e njoh mirë, sepse kemi luajtur ndaj tyre. Kanë një brez mjaft të talentuar dhe kjo nuk është diçka e re. Gjithashtu edhe Serbia ka një skuadër me traditë. I kam vëzhguar të gjithë kundërshtarët dhe jam i mirëinformuar. Më e rëndësishme është që të përgatitemi më mirë, që ti përgjigjemi këtyre ekipeve të cilat kanë eksperiencë më të madhe. Lojtarët e Kombëtares shqiptare kanë potencial sulmues dhe unë nuk dua ta ndërroj mentalitetin. Do të sulmojmë aq sa na lejojnë rivalët. I respektojmë të gjithë kundërshtarët, por nuk kemi frikë asnjë.

Mes 25 lojtarëve të grumbulluar spikat fakti që talentet shqiptarë, në kampionatin vendas apo në Europë po bëjnë hapa të rëndësishëm, ndërsa një personazh është edhe Serxho Kalaj, mesfushori që u largua nga ekipet e moshave të Italisë për ngjyrat kuqezi.

“Nuk ka ndryshuar asgjë te Kombëtarja e 17-vjeçarëve. Kemi grumbulluar 24 lojtarë shqiptarë dhe vetëm një shqiptar të Kosovës, sulmuesin Gavazaj. Nuk ekziston asnjë problem, por vetëm atë kemi gjetur. Ne bëjmë rregullisht seleksionime, si në Itali, Greqi dhe Zvicër, ku në këtë të fundit lojtarët janë më së shumti me origjinë nga Kosova dhe kanë situatë më delikate. Fillimisht sepse ekipet e tyre i pengojnë të paraqiten në grumbullime dhe për të thënë të drejtën, më të mirët qëndrojnë te Zvicra, sepse aty kanë lindur dhe jetojnë. Por, mund të them që situata ka ndryshuar pozitivisht për Shqipërinë, sepse fatmirësisht tani kemi më tepër talente, të cilit i shtohen gjaku dhe zemra. Këtu fanella dhe përgjegjësia e Kombëtares ndihet si në asnjë vend tjetër. Përsa i takon Serxho Kalaj-t, ai ende nuk ka ardhur, pasi ka detyrime te klubi i tij. Sipas informacioneve, ky lojtar ka kualitet, por ende nuk e kam parë në aksion. Fatmirësisht ka shumë fëmijë, që edhe pse janë rritur dhe jetojnë jashtë, dëshirojnë të luajnë për kombëtaren shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat