Prishtina e mposhti Drita-Kosovën

Futboll

Prishtina e mposhti Drita-Kosovën

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 19:27
FC Prishtina

Në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë u zhvillua ndeshja revyale tashmë tradicionale ndërmjet fituesit të kupës së Kosovës FC Prishtina dhe fituesit të Kupës së Kosovës për klubet në diasporë SC ”Drita-Kosova” Kornwestheim. Ishte një ndeshje e mirë, korrekte dhe e pëlqyeshme për ata dhjetëra shikues sa kishin ardhur për ta ndjekur këtë takim. Futbollistët e Prishtinës ishin dukshëm më të mirë, por edhe skuadra shqiptare nga Gjermania SC “Drita-Kosova” Konwerstheime u tregua rivale e denjë dhe pati disa raste shënimi dhe ndërtoi shumë aksione të rrjedhshme. Pa dyshim se ndeshja u zhvillua me kushtet aspak humane për futbollistë. Por, me gjithë balten deri në gju, Prishtina dhe skuadra e bashkatdhetarëve tanë, “Drita Kosova”, u shoqëruan ndërmjet vete duke zhvilluar një duel mjaft interesant, me gjithë kushtet e vështira për lojë dhe ku cilësia s’mund të vije aspak në shprehje. Prishtina, në këtë duel revyal, u paraqit me futbollistët që më pak janë paraqitur në formacionin bazë, ndërsa luajtën edhe disa juniorë. Bardhekaltrit me meritë triumfuan – 4:1. Së pari, golin e epërsisë ka shënuar sulmuesi i krahut i skuadrës juniore, Kastriot Selmani (24’). Rezultatin dyfishoi Basit Abdul Khalid, pas gjuajtjes me kokë dhe harkimin nga e djathta të Kastriot Selmanit (56’). Bashkatdhetarët tanë nga diaspora, ngushtuan rezultatin nëpërmjet Valmir Muzliukajt (58’). Golin e tretë për Prishtinën shënoi sërish, Basit Abdul Khalid nga pika e bardhë e që më parë në zonë të rreptësisë u pengua Arbër Hoxha – futbollist i skuadrës juniore (65’), i cili pastaj edhe vetë u shënua në listën e realizuesve dhe të rezultatit përfundimtar – 4:1 (75’). Në fund kapitenit Prishtinës Shend Kelmendit kupën ia dorëzoi ministri i Ministrisë së Diasporës z. Valon Murati.

Prishtina-Drita-Kosova 4:1 (1:0)

Stadiumi i Flamurtarit Prishtinë.

Shikues: Disa dhjetëra

Gjyqtarë: Genc Nuza, Rexhep Potoku ,Granit Hyseni e Visar Kastrati.

Shënues: K. Selmani (24’), Khalid (56’, 65’ – nga penalltia), e A. Hoxha (75’) - Muzliukaj (58’).

Prishtina: V. Bekaj, G. Hamiti, G. Dumani, M. Milloviq, A. Xhaka, G. Jashari, B. Baftiu, A. Hoxha, Sh. Kelmendi, l. Osmani, K. Sinani edhe A. Nika, R. Kabashi, R. Gerbeshi, D. Sekiraqa, D. Hasani, B. Khalid.

Drita-Kosova: B. Shala, D. Shala, F. Povataj, T Seker, V. Islami, F Bajrami, A. Bytyqi, V. Muzliukaj, T. Ylman, A. Haxhiu, J. Manoccio luajtën edhe S. Zeqiri, B. Zymeraj, F. Bajrami, B. Kalludra, Tnj. Seker.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat