Vllaznia e Teuta në duelin direkt për mbijetesë

Futboll

Vllaznia e Teuta në duelin direkt për mbijetesë

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 17:43
ilustrim

Me fundin e fazës së parë të Kategorisë Superiore që po afron është krijuar edhe një ndare paraprake, për të kuptuar realisht objektivat e skuadrave. Gara për mbijetesë në këtë sezon mban të përfshira edhe dy skuadra me peshë të kampionatit, Vllazninë dhe Teutën.

Dy skuadrat përballen këtë të dielë në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, me objektivin për të fituar pikët aq të nevojshme në luftën për të qëndruar në elitë.

Me renditjen momentale në vendin e pestë me 7 pikë, të paktën në letër kuqeblutë janë brenda objektivave sezonale, për një pozicionim në mesin e tabelës, megjithatë rreziku është aktual, pasi 6 ekipe janë aty me diferenca fare minimale dhe Teuta që mbyll klasifikimin ka vetëm 2 pikë më pak.

Të besuarit e Armando Cungut kanë detyrën të rikthehen te fitorja, pas katër ndeshjeve ku rezultatet nuk kanë qenë ato të priturat. Disfata në shtëpi me Laçin konfirmoi mini-krizën që Vllaznia po përjeton, ndërsa pasi konfirmuan besimin te trajneri, drejtuesit e klubit tani presin edhe përgjigje nga ekipi në fushë.

Lajmi i mirë në Shkodër është se Cungu do ti ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, duke rigjetur mbrojtësin Marku, që ka munguar për një periudhë të gjatë dhe mesfushorin Bardulla, me golat që synohen të vijnë nga këmbët e kapitenit Shtubina, që do të mbështetet nga Kalaja dhe Cinari.

Në anën tjetër, Teuta ka dhënë shenja ringjalljeje, me fitoren e parë sezonale të regjistruar fundjavën e kaluar përballë Luftëtarit. Në prag të sfidës trajneri Roberto Çevoli ka bërë llogaritë me mungesat e Maganit, Hilës dhe mbrojtësit Sheji, ndërsa llajmi i mirë është rikthimi i kapitenit Rustem Hoxha dhe sulmuesit Andi Ribaj.

Me teknikun italian në stol, durrsakët kanë shfaqur sinjale pozitive dhe synimi mbetet që Teuta të marrë rezultat në Shkodër. Fitorja do të kishte vlera të jashtëzakonshme si për Vllazninë, ashtu edhe për Teutën, sepse megjithëse mbeten ende edhe shumë javë për t’u luajtur, ku është një duel i parakohëshëm për mbijetesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat