Luftëtari, kur shembulli pozitiv vjen nga të rikthyerit në Superiore

Futboll

Luftëtari, kur shembulli pozitiv vjen nga të rikthyerit në Superiore

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 18:48
ilustrim

Luftëtari mund të konsiderohet deri tani surpriza e kampionatit, jo vetëm për rezultatet e marra por edhe për lojën e zhvilluar. Sigurisht që kulmi i bluzinjve erdhi me atë fitore ndaj Tiranës, cka i dha më shumë qetësi skuadrës në garën drejt arritjes së objektivave. Gjirokastritët janë në një pozitë komode, në kuotën e 10 pikëve aq sa ka edhe Vllaznia madje pretendimet e tyre mund të ndryshojnë duke parë që Tirana e vendit të katërt është 3 pikë përpara ndërsa Kukësi i vendit të 3 vetëm 4 pikë. Pozicionin në tabelën e klasifikimit Luftëtari e ndan me Vllazninë për efekt golavarazhi, një duel i cili duket i destinuar të vazhdojë më tej. Kuqeblutë në përbërje të emrave duken një ekip më i mirë në letër, por situata në Shkodër është krejt ndryshe me atë në Gjirokastër.

Humbja me Lacin në shtëpi turbulloi ndjeshëm ambientin tek Vllaznia cka u rregullua vetëm nga fitorja me Teutën. Dy skuadra në kuotë të njëjtë pikësh por me përjetime të ndryshme në ambientet e tyre. Dhe të mendosh që Luftëtari ende nuk ka debutuar përpara tifozëve, një tjetër situatë paradoksale me Vllazninë që ka luajtur përpara publikut, madje dy sfida në Loro Boricin e rikonstruktuar. Edhe në këtë aspekt, atë të përjetimit të rezultateve, cilado qofshin ato, Luftëtari jep një tjetër leksion, jo vetëm për Vllazninë dhe rivalët por për të gjitha skuadrat e kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat