Leci: Peshojmë me shumë se Feronikeli! Livoreka

Futboll

Leci: Peshojmë me shumë se Feronikeli! Livoreka

Nga: Kemajl Goca Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 11:06
Liridon Leci

Trepça ’89, Prishtina apo Llapi, do të jenë kampion vjeshte në elitën e futbollit? Vështirë është të parashikohet se cila mund të dimërojë e para, për faktin se Trepça ’89 e ka shumë vështirë në Prizren me Lirinë, ndërsa Prishtina do të takohet me kampionin në fuqi, Feronikelin dhe Llapi e ka më lehtë se të tjerët, e presin Hajvalinë që po luan me lojtarë të rinj. Prishtina është në vend të dytë me 34 pikë, dy me pak se kryesuesi Trepça ’89, ndërsa Llapi është në pozitën e tretë me 33 sosh dhe ka një pikë me tepër se Feronikeli që klasifikohet i katërti. Kjo renditje dhe me diferencë të ngushtë në pikë, pa dyshim se e bënë edhe më dinamike javën e fundit të vjeshtës dhe që mund të ndryshojë kreun! 

Sfida kryesore do të zhvillohet sot (13.00) në stadiumin ‘Agron Rama’ në Kastriot, ku takohen Prishtina-Feronikeli. Përballja në mes këtyre skuadrave, që kanë lojtarët më të mirë në petkun e tyre, pritet me kërshëri nga dashamirët e kësaj loje me të popullarizuar në botë. Prishtina kërkon pikët e plota sikurse edhe skuadra nga Drenasi.  Futbollisti i Prishtinës, Liridon Leci, mendon se do të fitojnë ndaj kampionit. Ai e merr si shembull edhe fitoren në Drenas me rezultat 1:0 dhe beson se sërish do ta mundin Feronikelin. “E kemi nisur shumë mirë këtë kampionat dhe pikërisht kundër Feronikelit kemi fituar Superkupën, pastaj fituam edhe në Drenas. Unë mendoj që Prishtina ka skuadër shumë cilësore dhe sot jemi përgatitur që ta mbyllim ashtu siç e filluam këtë gjysmëstinor. Edhe Feronikeli është skuadër për t’u respektuar, por jam shumë i bindur që sot fiton Prishtina, plus kësaj ne luajmë si vendas dhe kjo është në favorin tonë”, thotë Leci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ku janë përparësitë e Prishtinës? “Jemi komplet dhe kjo është e rëndësishme. Mendoj se, në qoftë se FC Prishtinën dhe FC Feronikelin e fusim në peshore, atëherë më rëndë peshon Prishtina, sepse është më e kompletuar në të gjitha repartet, ka lojtarë shumë cilësor me një të ardhme të mirë dhe ka lojtarë me shumë eksperiencë ndërkombëtare. Këto besoj se janë ato përparësitë e Prishtinës”, tha Leci. Futbollisti më tutje tha se nuk do të jenë të kënaqur me një pikë. “Meqë, kemi bërë disa gabime të vogla rrugës, edhe nuk mendoj që do të jemi të kënaqur me një pikë. Në qoftë se do të ishim shkëputur shumë nga Feronikeli, atëherë lejohet edhe ndonjë ‘hap fals’. Por mendoj që sot vetëm tri pikë na kryejnë punë dhe do të hyjmë për tri pikë”, theksoi ai. A besoni se do të dimëroni të parët dhe a shpresoni në humbjen e Trepçës '89 nga Liria? “Do të ishte një gjë shumë e mirë nëse do të përfundonim të parët në këtë gjysmësezon. Mirëpo, mendoj se edhe nëse nuk jemi në dimër të parët, në pranverë do të jemi të parët 100 për qind”, tha Leci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat