Kukësi në krye të Kampionatit Shqiptar

Futboll

Kukësi në krye të Kampionatit Shqiptar

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 16:17
KF Kukësi

Në “Zeqir Ymeri” nuk ka falur Kukësi, që ka mundur Laçin me rezultat 2:0, në një mjedis të acartë, për shkak të dëborës që ka rënë në qytetin verilindor. Ka qenë kroati Dvornekoviç, ai që ka zhbllokuar rezultatin për të tijtë në minutën e 29-të. Ekzekutimi perfekt i një goditjeje dënimi nga Karioka, gjen fillimisht Allën, pastaj përfundon te kroati, i cili gjuan fort dhe rrjetë. Shpërblehen kësisoj përpjekjet e kuksianëve, thyhet prapavija e ngjeshur e miqve, ndërkohë që loja merr ngjyra të tjera. Nuk ka reagim nga Laçi, por thellim të përpjekjeve nga vendësit për të shënuar golin e dytë dhe të qetësisë. Kjo gjë mund të kishte ndodhur fare mirë edhe dy herë në pjesën e parë, kur futbollisti Pero Pejiç ka gabuar në minutën e 41-të dhe të 45-të, raporton telesport. Fraksioni i dytë nis me një ritëm më të ulët, për shkak se Kukësi nuk është më aq ngulmues në sulm, ndërsa Laçi e ka të vështirë të zhvendoset në gjysmëfushën kundërshtare. Ka qarkullim topi pa efikasitet, ndërsa Gjoka i orienton të tijtë të aplikojnë pasin e gjatë drejt Pejiç, që pështjellon prapavijën kurbinase.

Me avantazhin minimal, verilindorët mundohen të racionalizojnë edhe forcat, duke bërë zëvendësime, kur dihet se do të luajnë tjetër ndeshje në fundjavë. Pejiç sërish i pafat në minutën e 62-të, kur e sheh veten i vetëm me portierin kundërshtar. Kroati iu afrua portës mike, por Selmani i thotë “jo”, duke devijuar goditjen në këndore. Nuk mund të shpëtonte më kuadrati bardhezi, në minutën e 65-të, kur Izair Emini lëshon një predhë, duke e dërguar topin në rrjetë. Kukësi gjen qetësinë e plotë tashmë, ndërkohë që “malorja” për skuadrën e Ndreut bëhet e pangjitshme dot. Me këtë fitore, verilindorët ngjiten në kuotën e 27 pikëve, aq sa kanë edhe korçarët, duke pritur me mjaft interes derbin e nesërm, për të parë se kë do të kenë ndjekës më të afërt. Në kampin tjetër zhgënjim. Me këtë humbje, e shtata në këtë kampionat, Laçi mbetet në pozita fundore, në vendin e shtatë me 10 pikë. Mbijetesa për bardhezinjtë duket se do të jetë një “gur në qafën” e lojtarëve të Ndreut deri në fund të garës, ndryshe nga vitet e tjera, kur Laçi ka rivalizuar e kapur zonën europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat