Pioli: Suning ambicioz, duam fitore me Napolin

Futboll

Pioli: Suning ambicioz, duam fitore me Napolin

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 22:04
Pioli

Pas fitores ndaj Fiorentinës, Interi i Stefano Piolit kërkon vazhdimësinë. Për të shpresuar te Zona Champions deri në fund të kampionatit, zikaltërit kanë nevojë për disa fitore rradhazi në mënyrë që të rikuperojnë terren ndaj skuadrave që kanë përpara në renditje. Interi këtë të Premte sfidon Napolin në San Paolo në një stadium ku zikaltërit kanë fituar vetëm 2 herë në Kupën e Italisë gjatë 16 viteve të fundit. Gjithsesi Pioli beson se Interi i tij i ka të gjitha mundësitë për të thyer tabunë San Paolo.

” Kemi përballë një kundërshtar të fortë që luan mirë. Është një fushë e vështirë, e kemi të qartë se cfarë janë të aftë të bëjnë ata por ne besojmë te aftësitë tona. Jemi përgatitur mirë dhe do të zbresim në fushë vetëm për fitore”.

Nga ëndrra për të parë Lionel Messin të mbajë veshur fanellën e Interit një ditë tek projekti i kinezëve për të rikthyer Interit në majat e futbollit italian dhe atij europian. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Napolit, Pioli foli edhe për këto dy tema.

” Të ëndërrosh është dicka e bukur por në disa raste mund të jetë edhe e rrezikshme. Tashmë duhet të mendojmë vetëm për realitetin. Pronarët e rinj duan të bëjnë mirë, ata transmetojnë grintë te skuadra dhe dëshirojnë ta ngrejnë Interin në nivelet më të larta. Janë shumë ambiciozë”.

Njeriu i momentit në shtëpinë zikaltër është padiskutim kapiteni Mauro Icardi i cili ka realizuar 12 gola në kampionat. Për argjetinasin Napoli ishte gati të shpenzonte 70 milionë Euro në verë, por Interi vendosi të mos privohej nga shërbimet e 23-vjecarit për të cilin Pioli ka vetëm fjalë të mira.

” Icardi po tregon që është një nga sulmuesit më të mirë në Botë, është shumë i ri dhe mund të përmirsohet ende. Mauro është një profesionist i vërtetë, një lojtar që punon shumë në stërvitje. Është një shembull për shokët e ekipit dhe gjithmonë vendoset në dispozicion të skuadrës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat