Skënderbeu rikthen dy futbollistë

Futboll

Skënderbeu rikthen dy futbollistë

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 12:05
Hamdi Salihi

Në Loro Boriçi këtë të diel ndaj Vllaznisë, Skënderbeu luan një nga ndeshjet më të rëndësishme për ecurinë e sezonit. Kampionët nuk kanë bindur me lojë dhe rezultate gjatë 13 javëve të para të kampionatit dhe do të kërkojnë të bëjnë autokritikë përballë një Vllaznie që po kalon ndoshta momentin më të mirë përgjatë gjithë këtij sezoni. Shkodranët kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh sa edhe korçarët në 3 javët e fundit, 7 dhe synojnë vazhdimësinë pikërisht në sfidën ndaj Skënderbeut. Megjithatë bardhekuqtë pavarësisht se luajnë në transfertë janë favoritë në këtë përballje pasi edhe statistikat flasin në favor të Skënderbeut që ka fituar 4 prej 5 ndeshjeve të fundit që ka zhvilluar në Shkodër ndaj Vllaznisë. Për më tepër trajneri Andrea Agostinelli përpara kësaj sfide shumë delikate edhe për sa i përket të ardhmes së tij në krye të stolit të korçarëve mund të marrë frymë lirisht.

Për duelin ndaj kuqebluve me shumë gjasa, tekniku italian do të ketë sërish të gatshëm, sulmuesin kryesor të skuadrës, shkodranin Hamdi Salihi, i cili mungoi në ndeshjen ndaj Luftëtarit për shkak të një dëmtimi. Rikthehet në dispozicion të Agostinellit edhe qëndërmbrojtësi Marco Radas. Kroati është një lojtar shumë i rëndësishëm për Skënderbeun dhe mungesa e tij gjatë kësaj periudhe është ndierë në skuadër, pasi Radas përvec se përcjell shumë siguri në prapavijë ka aftësinë dhe klasin për të zgjidhur i vetëm një ndeshje nëpërmjet goditjeve standarte. Bakary Nimaga, ndërkohë i cili luajti për 20 minuta në sfidën ndaj Luftëtarit duket se ka arritur formën optimale dhe do të aktivizohet titullar të Dielën në Shkodër. Gjetja e golit ka qenë një problem për Skënderbeun gjatë kësaj periudhe, por me këta tre lojtarë në formacion, korcarët do të kenë më shumë opsione për të zhbllokuar ndeshjet. Skënderbeu gjithsesi ka edhe mungesa teksa në sfidën ndaj Vllaznisë mbrojtësi Tefik Osmani do të mungojë sërish për arsye familjare, mesfushori Argjend Mustafa është i skualifikuar ndërsa Malaj vazhdon të jetë i dëmtuar.

Në krahun tjetër Vllaznia ka vetëm një mungesë por shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për mbrojtësin malazez Stefan Cicmil, i cili u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen ndaj Korabit duke plotësuar numrin e 3 të tillëve. Vendin e Cicmil të pezulluar në formacionin titullar të Vllaznisë pritet ta marrë, Endri Vrapi që do të rreshtohet përkrah Bicajt në qëndër të prapavijës. Dhimbjet e kokës gjithsesi nuk mungojnë për trajnerin Armando Cungu i cili beson jashtëzakonisht te aftësitë e Stefan Cicmil, njeriut që me golin e tij në Vlorë ndaj Flamurtarit i dha fitoren e parë në transfertë Vllaznisë gjatë këtij sezoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat