Përzgjedhësi italian befason për atë të Shqipërisë

Futboll

Përzgjedhësi italian befason për atë të Shqipërisë

Më: 11 dhjetor 2016 Në ora: 12:24
Ventura

Trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, në një intervistë të gjatë të dhënë për “Goal.com”, ka pranuar se jeta e përzgjedhësit të kombëtares ishte shumë më ndryshe sesa e kishte menduar. Sipas tij, të jesh në udhëtim gjatë gjithë kohës, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ishte shumë e lodhshme. Por në këtë pikë, zgjidhte t’u besonte fjalëve që i kishte thënë Gianni De Biasi në një darkë të përbashkët në Paris.

 “E pranoj, nuk e prisja këtë lloj jete dhe nuk e mendoja që do të kishte kaq shumë aktivitete. Jam gjithmonë në udhëtim. Por De Biazi, me të cilin darkova në Paris, më dha një sinjal shprese. Më thotë se në vitin e dytë është gjithmonë më mirë. Nëse mbijetoj, ndoshta do të them edhe unë se jam i lumtur”, deklaroi ai.

Në Itali e pyesin të gjithë për ndeshjen me Spanjën, por Ventura vazhdon të përsëritë se rivali kryesor aktualisht është Shqipëria.

“Në shtator, me ndeshje kampionati të luajtura njëlloj, Spanja do të ishte para nesh për shkak të turneve dhe miqësoreve të shumta që ndikojnë te përgatitja. Por në Spanjë do të bëjmë një ndeshje të madhe, jam i bindur.

Më shqetëson më shumë sfida e marsit kundër Shqipërisë në të cilën kemi detyrimin për të fituar dhe kemi katër ditë kohë për ta përgatitur. Nuk di të them nëse atë ditë do të jemi gati për të luajtur me skemën 4-2-4”, tha ai, duke lënë të kuptohet se nuk do të bëjë aventura në atë sfidë delikate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat