De Biasi: Shqipëria e arriti kulmin, nuk besoj se do bëjmë më shumë

Futboll

De Biasi: Shqipëria e arriti kulmin, nuk besoj se do bëjmë më shumë

Më: 12 janar 2017 Në ora: 09:57
Gianni de Biasi

Shqipëria e ka arritur tashmë kulmin e vet. Kështu ka deklaruar trajneri i skuadrës tonë përfaqësuese Gianni de Biasi i cili ndër të tjera shtoi se lojtarët më shumë se sa kanë bërë me kualifikimin në Evropian nuk mund të bëjnë në të ardhmen.

Tekniku 60 vjeçar tha gjithashtu se problemi më i madh kombëtares shqiptare është menaxhimi i këtij momenti.

Trajneri i Arsenalit i mirënjohuri Arsene Wenger pat deklaruar kohë më parë se është e vështirë të motivosh të njëjtët njerëz të ngjisin dy herë “Himalajet”.
Me sa duket të njëjtin mendim ka edhe trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi. Tekniku i kuqezinjve gjatë një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të Sampdorias u shpreh se përfaqësuesja që ai drejton tashmë e ka arritur kulmin dhe është e vështirë që këta lojtarë të bëjnë më shumë.

“Aventura me Shqipërinë besoj se e ka arritur majën dhe më shumë se kaq nuk mund të bëhet, megjithëse në jetë asnjëherë nuk i dihet. Problemi më i madh është të menaxhojmë këtë moment. Mos të mendojmë që jemi më të mirët. Duhet të tregojmë të njëjtën dëshirë si më pare”, tha italiani.

Gianni de Biasi ka një marrëveshje me federatën shqiptare e cila përfundon në tetor të këtij viti dhe palët ende nuk janë ulur për të biseduar rreth një rinovimi të mundshëm.

Ndërkohë më 24 Mars në qytetin e Palermos tekniku 60 vjeçar do të drejtojë kombëtaren kuqezi kundër përfaqësueses së vendit të tij të lindjes, Italisë. Shqipëria aktualisht mban vendin e 4-ët në grupi G me 4 pikë më pak se Spanja dhe Italia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat