Berisha optimist, beson se me Terek-un do të jenë në Europë

Futboll

Berisha optimist, beson se me Terek-un do të jenë në Europë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 13 janar 2017 Në ora: 14:33
Bernard Berisha gjatë një aksioni

Bernard Berisha, prej futbollistëve më të mirë shqiptar, zhvillojë seancën e parë stërvitore me klubin e tij të ri çeçen Terek nga Grozny, e cila synon një vend në garat evropiane. Mesfushori i kombëtares së Kosovës deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se është pritur në mënyrën me të mirë në mjedisin e ri. Ai është edhe më i lumtur që gjendet në mesin e dy bashkëkombësve të tij, Bekim Balaj dhe Odise Roshi, dy reprezentues të kombëtares së Shqipërisë. Mesfushori nga Peja së fundi luajti për ekipin Anzhi dhe ishte ndër më të mirët, por u largua nga ky kolektiv, për të vazhduar në FC Terek, me gjithë ofertat që kishte nga klubet tjera. Pas 17 jave në elitën e futbollit rus, Terek mban vendin e katërt me 28 pikë të mbledhura ose ka 12 më pak se lideri Spartak Moska. Në vitin 2016 Berisha luajti 28 ndeshje për Anzhi Makhachkala dhe realizoi katër gola. Ai njihet si lojtar luftarak dhe shumë herë u vlerësua si ‘buldozer’, sepse sa herë e merr topin vështirë ndalet nga kundërshtarët!

“Bota sot”: Bernard, si po ndjeni në Terek?

Bernard Berisha: E kam zhvilluar sot seancën e parë stërvitore. Jam shumë i lumtur, me kanë pritur shumë mirë. Do të përkushtohem në punë dhe të arrijmë synimet.

“Bota sot”: Tre shqiptarë te Terek-u, ju, Bekim Balaj dhe Odise Roshi.

Bernard Berisha: Po, arsyeja kryesore që kam ardhur te Terek-u janë Bekim Balaj dhe Odise Roshi, sepse kisha edhe oferta tjera. Kisha idenë se së bashku do të arrijmë qëllimin që kemi.

“Bota sot”: Një kohë në Anzhi Makhachkala, pse u larguat?

Bernard Berisha: Them të drejtën, Anzhi Makhachkalas i jam shumë mirënjohës e falënderues dhe gjithë qytetarëve të këtij vendi.  Kam kaluar momentet më të mira, por problemet financiare u dashtë të shkëpusim kontratën. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Terek-u ka një grup të mirë dhe do të luftojë për Europë, dhe do të arrijmë qëllimin.

“Bota sot”: Një kohë ishit te kampioni shqiptar, Skënderbeu nga Korça. A është dallim i madh mes kampionati shqiptar dhe atij rus?

Bernad Berisha: Te Skënderbeu kalova momente shumë të mira, duke pasur parasysh kushtet shumë  të mira që na bëri presidenti Takaj, dhe i jam shumë falënderues. Jo vetëm aty, por në të gjitha klubet shqiptare kam kaluar mirë, nga Kavaja (Besa) deri te Skënderbeu, mos të harrojë edhe Besën e Pejës e cila ka kontribuar në talentin tim dhe i jam mirënjohës  Dallimi është shumë i madh, sepse këtu (në Rusi) 6-7 skuadra luftojnë për titull dhe shumë duhet më u përgatitur. Futbolli evropian dallon me atë shqiptar.

“Bota sot”: Cilat skuadra i parashikon për titull?

Bernard Berisha: Pretendentë kryesor për titull janë Spartak Moska, pa përjashtuar Zenitin që ka skuadër shumtë të mirë, pastaj CSKA e Moskës është e fortë. Janë tri-katër skuadra që luftojnë për titull.

“Bota sot”: A mund të adaptoheni shpejt në klubin e ri?

Bernard Berisha: Jam njeri shumë punëtor, kam dëshirë mi kënaq të gjithë me punë time. Do të adaptohem shpejt, pasi që Balajn dhe Roshin i kam afër në çdo moment dhe më bëjnë të ndihem më të adaptuar dhe gjithnjë e më mirë.

“Bota sot”: Çfarë iu premton tifozëve?

Bernard Berisha: Një lojë sa më të mirë, të na përkrahin edhe në momente të vështira dhe të mira, me qenë të bashkuar dhe të arrijmë synimet.

“Bota sot”: Pak fjalë edhe për kombëtaren e Kosovës e cila debutoi në garat ndërkombëtare. Një barazim e tri humbje në kualifikimet për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’, si e vlerësoni?

Bernard Berisha: E para, jam shumë i lumtur që Kosova është e pranuar në UEFA e FIFA, për faktin se ka qenë e izoluar, tani nuk janë. Duhet t’i tregojmë gjithë botës se Kosova ka shumë talente, por kemi një grup të fortë dhe na shërben shumë për të ardhmen që të përgatitemi sa më mirë. Kemi pasur ndeshje të mira, pavarësisht humbjeve te thella, por na kanë shërbyer shumë. Besoj se në grupin që kemi do të arrijmë fitore dhe besoj se do të na mbështesim fuqishëm tifozët dhe qytetarët e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat